Nëse zgjidhet presidente, Le Pen ndalon prerjen e kurbanit

Nacionalistja Marine le Pen, që po garon në zgjedhjet presidenciale të Francës, ka ngjallur reagime të shumta me kërcënimet se do të ndalojë prerjen e kurbanit sipas feve. Ajo thotë se kafshët së pari duhet të paralizohen dhe më pas të priten, por myslimanët dhe hebrenjtë thonë se ky ligj sinjalizon se komunitetet janë të padëshiruara në Francë.
Nacionalistja franceze, kandidate për postin e presidentes, Marine Le Pen, ka kërcënuar myslimanët dhe hebrenjtë me ndalimin e prerjes kurbanit në rast se fiton garën presidenciale.

Le Pen ka thënë se do të marrë këto masa për t’u dhënë fund vuajtjeve të kafshëve. Ajo dëshiron që kafshët së pari të paralizohen.

“Nuk po them se nuk duhet lejuar ushqimi hallall nëpër dyqane. Mirëpo, një numër i madh shtetesh evropiane kanë bërë thirrje që të merret në konsideratë mirëqenia e kafshëve. Veterinarët thonë se prerja e kafshëve duhet të bëhet pas paralizimit të tyre”, ka thënë kandidatja presidenciale, Marine Le Pen.

Mirëpo, myslimanët dhe hebrenjtë që për arsye fetare hanë mishin nga kafshët që nuk paralizohen para se të copëtohen, thonë se janë cak i nacionalistes së krahut të djathtë ekstrem.

Disa hebrenj thonë se nëse miratohet ky plan i Le Pen, mund të detyrohen që të largohen nga Franca, ndërkaq tregtarët myslimanë thonë se mund t’i kthehen prerjes ilegale të kafshëve nëpër banjat e shtëpive.

Kritikët thonë se plani i Merkelit është lojë diskriminuese për të siguruar vota, sepse nuk ka kundërshtuar gjuetinë me kafshë dhe luftën me demat.

Një kasap i mishit hallall në Francë, thotë se për myslimanët nuk është hallall mishi nga kafshët që paralizohen.

“Për myshterinjtë nuk është hallall nëse kafsha paralizohet. Hallall është prerja e kafshës pa e paralizuar. Nëse miratohet ligji, myshterinjtë do të tmerrohen”, ka thënë kasapi mysliman Abdellatif Abouchaiba.

Myslimanët dhe hebrenjtë frikësohen se me Le Penin presidente, ligji kundër prerjes së kurbanit mund të jetë vetëm fillimit që hebrenjtë francezë dhe myslimanët të ndihen të padëshiruar nga Franca.

Ata besojnë se paralizimi mund t’u shkaktojë vuajtje kafshëve dhe se ritualet fetare për mishin kosher dhe hallall janë forma më humane të prerjes së tyre.

Ndërkaq, presidenti aktual, Emmanuel Macron, në fushatën e tij ka thënë se ka tjetër plan për të luftuar separatizmin islamik.

“Dua që Franca të luftojë kundër separatizmit nëpërmjet shekullarizimit që lejon njerëzit të besojnë ose të mos besojnë. Të praktikojnë fenë e tyre. Jo një Francë që ua ndalon myslimanëve ose hebrenjve të hanë siç ua lejon feja. Kështu nuk jemi ne”, ka thënë presidenti francez, Macron.

Me popullsinë më të madhe myslimane dhe hebreje në Evropë, çështja e prerjes së kurbanit ka qenë temë shumë e diskutuar në Francë.

Çështja është temë e betejës mes Macronit dhe Le Pen para rundit final të zgjedhjeve që mbahet më 24 prill.

Sipas sondazheve, Macroni pritet të fitojë ngushtë ndaj nacionalistes Le Pen.

LEXO EDHE:

Back to top button