Nesër afati i dytë për regjistrim në shkollat e mesme

Nesër afati i dytë për regjistrim në shkollat e mesme

Gazetare: Melihate Rustemi

Të hënën, shkollat e mesme me vende të lira sërish do të hapin dyert për semimaturantët që nuk kanë aplikuar për arsimin e mesëm si dhe të tjerët që u refuzuan në shkolla të caktuara gjatë paraqitjes së parë. Më shumë vende të lira ka në shollat profesionale me përjashtim të atyre të mjekësisë. Në shkollën “Dimitar Vllahov” pak vende të lira kanë mbetur në drejtimet Parukier dhe Dizajn Grafik. Ndërkohë, sipas drejtuesve të shkollës, më shumë vende të lira ka në profilin Kimi dhe Teknologji që ka të bëj me profesionet Teknik i Ushqimit dhe Përpunues mishi.

“Ky është një sektor që vërtetë duhet të plotësohet dhe duhet t’u përgjigjet kërkesave të tregut të punës. Një apel për nxënësit e klasës së nëntë, mos ngurroni të aplikoni, këto janë klasa të dyfishta ku Ministria subvencionon, ose ofron bursa prej 3.500 denarësh në muaj për secilin nxënës që do të regjistrohet në arsim të dyfishtë”, tha Jasminka Gudomanova, drejtoreshë SHMQSH “Dimitar Vllahov”.

Arsimimi në drejtimet për Teknik të Ushqimit dhe Përpunues mishi mes tjerash mundëson punësim në doganat e vendit ku bëhet pranimi i ushqimit nga një shtet tjetër si dhe në laborator të ndryshëm ku analizihet cilësia e ushqimit. Gjithashtu, mësimdhënësja Valbona Kadriu vlerëson se prezenca e teknikëve në fjalë është e domosdoshme në tregun e punës duke marë parasysh mungesën e këtij kuadri.

“Mund të punojnë edhe nëpër hapsira më të vogla, nëpër pastiçeri, në furra të ndryshme. Gjithë aktiviteti ose ardhmëria shihet në një industri të ushqimit. Industria e ushqimit në gjysëm shekullin e fundit ka marrë një hov shumë të madhë dhe ne për çdo ditë hasim ushqime të përgatitura, ushqime të gatshme. Të gjitha këto procedura kalojnë nëpër duart e teknikëve të ushqimit. Prezenca e tyre është e domosdoshme në tregun e punës ndërsa për momentin kemi mungesë të këtij kuadri”, u shpreh Valbona Kadriu, mësimdhënëse.

Në paraqitjen e parë, në shkollën profesionale “Dimitar Vllahov” kanë aplikuar 174 semimaturantë. Sipas dikasterit të Arsimit mbi 14 mijë semimaturantë tashmë kanë aplikuar në shkollat e mesme të vendit ndërkohë rreth 17 mijë semimaturantë kanë përfunduar arsimin fillor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button