Nesër në Bruksel pritet vazhdojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen nesër në Bruksel. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi se në këto takime do ta ngrejë çështjen e Asociacionit të komunave serbe, derisa kryeministri Hoti ka thënë se me palën serbe do të dialogojë për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke.

Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë -deklaroi Avdulla Hoti, kryeministër i Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me të Dërguarin Special të Sekretarit të Shtetit të SHBA Mathew Palmer dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-serbi, Mirosllav Lajçak në Bruksel, tha se BE-ja këmbëngul që ajo duhet të drejtojë dialogun politik të Kosovës dhe të Serbisë. Vuçiq vlerësoi se takimi me Palmer dhe Lajçak ishte i mirë dhe deklaroi se ata diskutuan për “të gjitha temat e rëndësishme dhe si të vazhdohet dialogu nesër”.

Takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy shteteve.

Ndërkaq Ministria e Jashtme e Izraelit, ka njoftuar edhe zyrtarisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe për hapjen e ambasadës në Jerusalem, dhe për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem. “Ne e shohim vendimin e Kosovës dhe Serbisë, që të vendosin ambasadat e tyre, si hap simbolik drejt promovimit të paqes në mes këtyre shteteve”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Izraelit.

Ambasada turke në Prishtinë, ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsidideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në postimin e bërë nga ambasada Turke në Prishtinë.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button