Netanjahu: Marrëveshja është arritur, e firmosim sot

Netanjahu: Marrëveshja është arritur, e firmosim sot

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se është arritur marrëveshja për kthimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës, pasi paraprakisht deklaroi se kishte pengesa në minutën e fundit për finalizimin e një armëpushimi që do të pauzonte luftën 15-mujore. Netanjahu tha se Qeveria do ta miratojë marrëveshjen e shumëpritur për lirimin e pengjeve. Kjo deklaratë e Netanjahut duket se i hap rrugë miratimit nga Izraeli të marrëveshjes, e cila parasheh pauzimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, që mbahen nga Izraeli. Marrëveshja po ashtu do të lejojë që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë. Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se marrëveshja është arritur. Një ditë më parë, Izraeli shtyu votimin për armëpushimin, duke fajësuar Hamasim për mospajtime në minutën e fundit, teksa tensionet në rritje brenda koalicionit qeverisës të Netanjahut shtuan shqetësimet për zbatimin e marrëveshjes. Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe ndërmjetësi, Katari, kishin njoftuar se marrëveshja ishte e përfunduar. Marrëveshja për armëpushim do të pauzonte luftën 15-mujore, që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën. Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë shkatërruese, që ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë në Gazë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button