Netanyahu dhe Biden folën me telefon për “progresin” në bisedimet e armëpushimit
Shtëpia e Bardhë tha se Biden dhe Netanyahu diskutuan negociatat në vazhdim në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli me presidentin amerikan Joe Biden për “progresin” në negociatat për një marrëveshje armëpushimi që siguron lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza dhe palestinezëve në burgjet izraelite.
Siç raportohet nga DPA, Netanyahu i tha Bidenit për “mandatin që i dha ekipit negociator në Doha për të çuar përpara lirimin e pengjeve tanë”, duke falënderuar Biden dhe presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për ndihmën e tyre në “këtë mision të shenjtë”.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden dhe Netanyahu diskutuan negociatat në vazhdim në kryeqytetin e Katarit, Doha dhe lirimin e pengjeve bazuar në planin e armëpushimit që Biden zbuloi majin e kaluar.
Biden foli gjithashtu me Netanyahun për “rrethanat e ndryshuara rrënjësisht rajonale” pas armëpushimit në Liban, rënien e regjimit të al-Assad në Siri dhe dobësimin e ndikimit rajonal të Iranit, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Ai theksoi nevojën urgjente për një armëpushim në Gaza dhe kthimin e pengjeve me ndihmën e shtuar humanitare të mundësuar me ndërprerjen e armiqësive sipas marrëveshjes, thuhet në komunikatë.