Netanyahu hedh poshtë vendimin për pauza taktike në Gaza

Netanyahu hedh poshtë vendimin për pauza taktike në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi planet e shpallura nga ushtria izraelite për të bërë pauza taktike ditore në luftimet përgjatë një prej rrugëve kryesore në Gaza për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në enklavën palestineze. Ushtria kishte njoftuar pauzat ditore nga ora 05:00 deri në orën 16:00 pasdite në zonën në drejtim të veriut të Gazës. “Kur kryeministri dëgjoi raportet e një pauze humanitare 11-orëshe, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe ia bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të”, tha një zyrtar izraelit, citon Reuters.

Ushtria sqaroi se operacionet normale do të vazhdojnë në Rafah, fokusi kryesor i operacionit të saj në Gazën jugore, ku tetë ushtarë u vranë gjatë 24 orëve të fundit. Reagimi nga Netanjahu nënvizoi tensionet politike lidhur me çështjen e ndihmave që vijnë në Gaza, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje. Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili drejton një nga partitë fetare nacionaliste në koalicionin qeverisës të Netanjahut, denoncoi idenë e një pauze taktike, duke thënë se kushdo që e vendosi këtë, ishte thjesht një “budalla” që do të humbiste punën.

Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar për një armëpushim, një marrëveshje për të ndalur luftimet duket ende e largët, më shumë se tetë muaj që kur sulmi i 7 tetorit nga luftëtarët e Hamasit ndaj Izraelit shkaktoi një sulm tokësor në enklavë nga forcat izraelite.

Edhe pse sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve mbështesin qëllimin e qeverisë për të shkatërruar Hamasin, ka pasur protesta të gjera të cilët kritikojnë  qeverinë se nuk ka bërë më shumë për të sjellë në shtëpi rreth 120 pengje që janë ende në Gaza. Në një shenjë të mëtejshme se luftimet në Gaza mund të zvarriten, qeveria e Netanjahut tha të dielën se do të zgjaste deri më 15 gusht periudhën që do të financonte hotele dhe shtëpi pritjeje për banorët e evakuuar nga qytetet kufitare izraelite jugore.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button