Çmimet e fruta-perimeve shtrenjtohen për 30%, Bekteshi: Falsifikatorët do të përgjigjen
Çmimet e fruta-perimeve shtrenjtohen për 30%, Bekteshi: Falsifikatorët do të përgjigjen

Gazetar: Adnan Qaili
Një javë pas vendimit për ngrirje të çmimeve të fruta-perimeve, Qeveria bëri korrigjimin e tyre deri në 30% rritje të disa prej tyre. Nga e mërkura perimet do të kenë rritje të çmimit për rreth 25 denarë, kurse frutat për 5 denarë më shumë sesa që u shiten javën e kaluar në tregun me pakicë. Shqyrtimi i çmimeve erdhi nga rritja e kostos nga vendet e rajonit prej ku importohen dhe nga mosbindja e shitjes me humbje të tregtarëve, gjë e cila nxori në pah dyshimet për falsifikimin e faturave në dogana nga tregtarët me shumicë.
Vendimi për korrigjim të çmimeve të fruta-perimeve
“Çmimet më të larta të produkteve në tregtinë me pakicë, përcaktohen në lartësi deri në 100 denarë specat e freskët të gjelbër, 95 denarë për 1 kilogram domate të freskëta, 95 trangujt e freskët, 95 fasulja, 70 denarë qepa, 110 denarë thjerrëzat, 75 bananet, 65 mandarinat dhe nga 60 portokalli dhe limoni”.
Ndërkohë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se hetimet e aksionit ndaj importuesve do të shkojnë deri në fund për tu dhënë përgjegjësia nga të gjitha palët e inkriminuara në biznesin e kryer në të zezë të fruta-perimeve.
“Drejtoria e Doganave tani më ka dorëzuar dokumentacionet e tyre në vendet fqinje, nga ku është kryer importi kryesisht nga Turqia dhe Greqia, nëse me kohë i marrim rezultatet do të dalim me konstatim se është dëmtuar buxheti i shtetit. Unë mund t’ju garantoj publikisht se kjo çështje do të shkoj deri në fund”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Në aksionin e koordinuar në fundjavë Inspektorati Shtetëror i Tregut, Policia Financiare dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike kreu kontrolle te tatimpaguesit të cilët bëjnë tregti me shumicë dhe pakicë me perime dhe fruta në territorin e Shkupit, Strumicës dhe Dibër. DAP ka kryer kontrolle në përputhje me Ligjin për Regjistrimin e Pagesave me para në dorë, nga kontrollet e kryera janë shqiptuar gjoba për këto shkelje:
Drejtoria e të ardhurave publike
Kundërvajtje sipas Nenit 21-b për mos lëshimin e kuponëve fiskale për qarkullimin e kryer të mallrave;
Kundërvajtje sipas Nenit 21, për mos marrje me qira dhe nuk regjistron pajisje rezervë fiskale;
Kundërvajtje sipas Nenit 21, për mos mbajtje të libër-evidencës për raportet financiare ditore.
Deri më tani, as Inspektorati i Tregut, as Policia Financiare e as DAP nuk përmendin që aksioni është kryer për falsifikim të faturave, korrupsion në dogana apo evazion fiskal që dyshohet të jetë bërë që nga 2007. Në tre ditë, u kontrolluan më shumë se 30 importues dhe tregtar me shumicë dhe pakicë. U konstatua se në magazinat e tyre kishte stoqe të produkteve të perimeve. Në disa prej tyre janë gjetur 300 ton fasule, të cilat duhet të ishin nxjerrë në shitje. Të gjithë këta do të përballen me gjoba nga 800 deri 10 mijë euro. /Alsat.mk