Ngrohja e Shkupit nga sot edhe zyrtarisht në duart e shtetit

Gazetar: Andrea Çobanova
EMV nga sot ka marrë përsipër menaxhimin e kompanisë Ballkan Enerxhi Grup dhe Ngrohtores Shkup-Veri. Për të menaxhuar krizën me ngrohjen, nga buxheti i shtetit do të transferohen 6 milionë euro, të cilat do të kalojnë në llogarinë e EMV-së. Sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, këto para do të mjaftojnë për tejkalimin e krizës.
“Gjashtë milionë euro do të kalojnë në llogarinë e EVM-së për të menaxhuar shpërndarjen, furnizimin dhe prodhimin, licenca që BEG do t’i ketë për të gjithë sezonin e ngrohjes. Sipas çmimeve ekzistuese dhe bursës, këto projeksione bëhen enkas për muajin shkurt dhe mars dhe pasi të kemi oferta, sigurisht që mund të jetë më pak, por mund të jetë çmim më i lartë që do të na kushtojë. Por, sipas të gjitha parashikimeve, çmimet me siguri do të jenë më të ulëta se sa ishin kohë më parë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
https://youtu.be/93PjA0Y1kDM
Deri më tani nuk ka konfirmim se kur marrëveshja mes EMV-së dhe BEG do të jetë në dispozicion të publikut për t’i parë kushtet në të cilat kompania shtetërore do të operojë me dy furnizuesit privatë të ngrohjes. Muajin e kaluar, banorët e Shkupit patën ndërprerje të ngrohjes për shkak të krizës së shkaktuar nga çmimet e larta të gazit. Çmimi i ngrohjes pas Vitit të Ri është rritur për 14 %./Alsat.mk