Nis vaksinimi kundër Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar

Ka nisur sot programi i vaksinimit masiv në Mbretërinë e Bashkuar. Njerëzit e parë që do të marrin vaksinën e parë të koronavirusit në atë që është quajtur “V-Day”-“Dita-V” janë më të rrezikuarit.

Rreth 70 qendra spitalore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar po përgatiten për të vaksinuar me Pfizer / BioNTech personat mbi 80-vjeç, personelin shëndetësor dhe të kujdesit.

Një doktor 87-vjeçar , tha se ai ishte i kënaqur që po bënte vaksinën të martën.

“Unë e ndiej se është detyra ime ta bëj këtë dhe të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar,” tha Dr. Shukla, i cili do të marrë vaksinën në Royal Victoria Infirmary në Newcastle së bashkua me gruan e tij, Ranjan.

Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë në botë që filloi të përdorë vaksinën Pfizer, pasi rregullatorët miratuan përdorimin e saj javën e kaluar.

Vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm.

Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock tha se tani kishte “dritë në fund të tunelit”.

“Ne do ta shohim “Ditën V”, si një moment kyç në luftën tonë kundër kësaj sëmundje të tmerrshme,” shtoi ai.

Ata që administrojnë vaksinën do të jenë të parët që do të vaksionohen në Skoci, ndërsa punonjësit shëndetësorë do të jenë të parët në radhë në Uells dhe Irlandën e Veriut.

Kryeministri Boris Johnson tha: “Sot shënohet një hap i madh përpara në luftën e Mbretërisë së Bashkuar kundër koronavirusit.”

Ai shtoi: “Ndërsa programi zhvillohet në javë dhe muaj përpara, është e rëndësishme që të vazhdoni me Planin e Dimrit të Covid, duke ndjekur rregullat bazë në zonën tuaj”.

Shefi ekzekutiv i NHS Angli Sir Simon Stevens tha se vaksinimet ishin një “pikë kthese vendimtare në betejën kundër koronavirusit” dhe do të vazhdojnë “të paktën deri në pranverë”, duke u bërë thirrje njerëzve që të jenë “shumë të kujdesshëm” përpara kësaj kohe.

Më shumë se 60,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë vdekur pasi u infektuan me Covid-19, sipas shifrave të qeverisë.

Si fillim qeveria ka siguruar 800,000 doza të kësaj vaksine, por porositë janë për 40 milionë në total, mjaftueshëm për 20 milionë njerëz, në dy faza.

Shumica e kësaj nuk pritet të bëhet e disponueshme deri vitin e ardhshëm, megjithëse burimet qeveritare thanë se katër milionë doza të tjera duhet të mbërrijnë në vend deri në fund të vitit.

LEXO EDHE:

Back to top button