Japan Airlines (JAL) duhej të merrte me qira një aeroplan shtesë për mundësit sumo sepse kishte frikë se mund të tejkalohej pesha që mund të mbante avioni i pasagjerëve.
Mundësit e sumos ishin planifikuar të fluturonin me një Boeing 737-800 nga Aeroporti Haneda i Tokios dhe Aeroporti Itami i Osakës në ishullin më jugor të vendit, Amami Oshima, ku ishte planifikuar një festival sportiv, raportoi Yomiyuri Shimbun.
Megjithatë, stafi e kuptoi se në listën e pasagjerëve kishte edhe mundësi sumo, pesha mesatare e të cilëve ishte 120 kg, që është shumë më tepër se mesatarja 70 kg për pasagjer, shkruan “The Guardian”.
Pista e Aeroportit Amami do të kishte probleme për të akomoduar një aeroplan më të madh, tha gazeta japoneze, duke e detyruar JAL të kërkonte shërbim shtesë për 27 mundësit, përfshirë 14 që duhej të fluturonin nga Itami në Haneda për të hipur në fluturimin special.
“Është shumë e pazakontë për ne të kryejmë fluturime speciale për shkak të kufizimeve të peshës së një avioni si ky,” tha një zëdhënës i JAL për gazetën rajonale Minapi-Nippon Shimbun.
U organizuan gjithashtu fluturime shtesë për të sjellë mundësit sumo në shtëpi pasi turneu përfundoi të dielën, raportuan mediat japoneze.








