Një lloj i ri vaksine mund të eliminojë gjilpërat
Fondacioni Bill dhe Melinda Gates po investon 23.6 milionë dollarë në kompaninë amerikane të bioteknologjisë Micron Biomedial për të zhvilluar një lloj vaksine pa përdorimin e injeksioneve.

Teknologjia e re bazohet në aplikimin e vaksinave patch me mikrogjilpëra të tretshme. Teknologjia është mbështetur prej kohësh nga ekspertët globalë të shëndetit për potencialin e saj për të rritur mbulimin e vaksinimit kundër sëmundjeve vdekjeprurëse. Vaksina të tilla janë më të lehta për t’u transportuar dhe përdorur sesa vaksinat tradicionale, veçanërisht në vendet më të varfra, ku vaksinimi i fëmijëve mbetet një sfidë. Megjithatë, rritja e prodhimit është një pengesë.
Në një vaksinim provë të të rriturve dhe foshnjave në Gambia këtë vit, teknologjia e vaksinës së fruthit dhe rubeolës e kompanisë u tregua po aq e sigurt dhe efektive sa vaksina tradicionale dhe prodhoi një përgjigje të ngjashme imune.
Teknologjia mund të ndihmojë në heqjen e barrierave kryesore për çrrënjosjen e fruthit dhe rubeolës globalisht, tha James Goodson, një shkencëtar në sektorin e imunizimit në Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, institucioni partner i kompanisë.
Përveç kësaj, vaksina eliminon nevojën për frigoriferë gjatë transportit dhe aplikimi nuk kërkon një punonjës shëndetësor. Mund të ndihmojë edhe ata që kanë frikë nga gjilpërat. Financimi do të mundësojë zhvillimin e prodhimit të dhjetë milionë copëzave në vit për prova klinike më të mëdha dhe përdorim më të gjerë.