Një njësi zgjedhore, partitë e vogla nuk pranojnë prag

Gazetar: Fatlume Dervishi

Partitë më të vogla të shumicës parlamentare, të cilat kërkojnë sistem me një njësi zgjedhore, janë të mendimit se pragu i votave që një parti do të duhet të sigurojë për të hyrë në Kuvend, nuk duhet të ekzistojnë, shkruan Alsat.

Në emisionin 360 gradë në Alsat, kryetarja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë Maja Moraçanin deklaroi se vendosja e një pragu nuk është në shërbim të demokratizimit të procesit.

“Ne jemi të qartë për këtë çështje. Ne duam një njësi zgjedhore pa prag. Nëse kërkohet prag, veçanërisht prag i lartë siç thuhet 2, 3 ose 5%, kjo praktikisht do ta zhvlerësonte idenë për të cilën propozohet një njësi zgjedhore, gjegjësisht për demokratizimin e shoqërisë dhe për përfaqësim më të drejtë të të gjithë qytetarëve”, deklaroi Maja Moraçanin, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë.

Kreu i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov nuk e përjashton mundësinë që të diskutohet për këtë çështje por vlerëson se pragu do të formohej në mënyrë natyrale që në procesin e parë zgjedhor me një njësi zgjedhore.

“Votat e tyre, votat e LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së do të jenë rezultat i mbështetjes që kanë ata. Tani në koalicion me LSDM-në jemi 23 parti politike por thonë se votat i ka fituar LSDM-ja ose VMRO-DPMNE-ja. Nuk i numërojnë partnerët e koalicionit, madje askush nuk i përmend. Nuk e hedh poshtë mundësinë ta hapim këtë çështje, t’i shohim argumentet dhe mund të bisedojmë. Pragu do të formohet në mënyrë natyrale. Nëse nuk keni 10 mijë vota nuk do të mund të hyni në Kuvend”, tha Pavle Trajanov, Lidhja Demokratike.

Çështja e sistemit me një njësi zgjedhore u aktualizua pasi ishte një ndër kërkesat e partive të lartpërmendura si kusht për të qëndruar në shumicën parlamentare. Afati që kanë dhënë ata që kjo temë të diskutohet është tre muaj. Së fundmi, edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se partia e tij është e gatshme të flasë për sistemin me një njësi. Ky sistem zgjedhor është edhe në programin zgjedhor të LSDM-ja kurse për atë është e gatshme të flasë edhe Aleanca për Shqiptarët.

Megjithatë, nismat për të ndryshuar sistemin aktual zgjedhor nga ai proporcional me gjashtë në një njësi zgjedhore, në të kaluarën kanë dështuar gjithmonë për shkak të mungesës së konsensusit kur partitë janë ulur në tavolinën e bisedimeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button