Një pjesë e pyllit të Amazonës u shkatërrua për ndërtimin e autostradës për samitin e klimës
Një pjesë e pyllit të Amazonës u shkatërrua për ndërtimin e autostradës për samitin e klimës

Një autostradë e re me katër korsi, për të cilën është dashur të shkatërrohen dhjetëra mijëra hektarë pyje të Amazonës, po ndërtohet për samitin e klimës COP30 që do të mbahet në qytetin brazilian Belem, njofton “BBC”.
Autostrada synon të lehtësojë trafikun drejt qytetit, që pritet të mirëpresë mbi 50 mijë persona – përfshirë liderë botërorë – në konferencën që mbahet në nëntor.
Disa vendas dhe aktivistë mjedisorë janë të indinjuar me ndikimin mjedisor.
Amazona luan rol jetik në botë për absorbimin e karbonit dhe sigurimin e biodiversitetit dhe shumë thonë se shpyllëzimi bie ndesh me qëllimin e samitit të klimës.
Claudio Verequete jeton rreth 200 metra nga vendi ku po ndërtohet rruga. Ai fitonte të ardhura nga korrja e frutave “açai” nga pemët që dikur gjendeshin në atë hapësirë.
“Gjithçka u shkatërrua. Të korrat tash janë shkatërruar. Ne nuk i kemi më ato të hyra për të mbajtur familjen”, thotë ai.
Claudio tregon se nuk ka marrë asnjë kompensim nga qeveria. Ai shpreh shqetësimin se ndërtimi i kësaj rruge do të sjellë më tepër shpyllëzime në të ardhmen, tashmë që zona është më e qasshme për bizneset.
Rruga lë dy zona të shkëputura të pyjeve të mbrojtura. Shkencëtarët janë të shqetësuar se kjo do të copëtojë ekosistemin dhe do të pengojë lëvizjen e kafshëve të egra.
Qeveria shtetërore e Paras kishte përmendur idenë e autostradës qysh në vitin 2012, por vazhdimisht ndalej për shkak të shqetësimeve mjedisore.
Por, janë aktivizuar një sërë projekte infrastrukturore për të përgatitur qytetin Belem për samitin COP.
Adler Silveira, sekretar i infrastrukturës në Para, ka listuar autostradën si një nga 30 projektet që po ndodhin në qytet.
Ai për BBC tha se autostrada është një “intervenim i rëndësishëm i mobilitetit”.