Një qytet në Holandë është i pari në botë që ndalon reklamat për shumicën e produkteve të mishit

Autoritetet në qytetin holandez të Haarlem planifikojnë të ndalojnë shumicën e reklamave për produktet e mishit të vendosura në vende publike nga viti 2024 për shkak të ndikimit të prodhimit të tillë ushqimor në klimë.

Ligji, i cili është ndoshta i pari i këtij lloji në botë, është hartuar nga partia e gjelbër GroenLinks dhe është kundërshtuar nga sektori i mishit dhe ata që e shohin atë si një kërcënim për të drejtën e fjalës së lirë.

Sipas gjetjeve të OKB-së, blegtoria prodhon më shumë se 14% të të gjitha gazeve serrë, përfshirë metanin.

“Mishi është shumë i dëmshëm për mjedisin. Ne nuk mund të flasim me njerëzit për krizën klimatike dhe në të njëjtën kohë t’i inkurajojmë ata të blejnë produkte që ndikojnë në të”, thotë Ziggy Klass, një këshilltare nga GroenLinks, siç raportohet nga BBC.

“Ndalimi i reklamave për arsye politike i ngjan një diktature”

Autoritetet në qytetin me 160,000 banorë thonë se ende nuk është vendosur nëse prodhimi i qëndrueshëm i mishit do të përfshihet në ndalimin e reklamave. Industria e mishit reagoi shumë shpejt ndaj këtij vendimi.

“Autoritetet po u tregojnë njerëzve se çfarë është më e mira për ta, kjo nuk është mirë,” tha një zëdhënës i Organizatës Qendrore të Sektorit të Mishit.

Partia e krahut të djathtë BVNL tha se masa ishte një “shkelje e papranueshme e lirisë së sipërmarrjes” dhe do të ishte katastrofike për fermerët e derrave.

“Ndalimi i reklamave për arsye politike është i ngjashëm me një diktaturë,” tha Joey Rademaker i BVNL.

Avokati Hermann Broering nga Universiteti i Groningenit tha se një ligj i tillë mund të kërcënojë lirinë e shprehjes dhe të çojë në padi nga tregtarët me shumicë. Rreth 95% e njerëzve në Holandë hanë mish, por më shumë se gjysma nuk e konsumojnë atë çdo ditë. Amsterdami dhe Haga kanë ndaluar tashmë reklamat për industrinë e aviacionit dhe lëndëve djegëse fosile.

LEXO EDHE:

Back to top button