Një raport hetimor parlamentar zbulon varësinë mes partive politike dhe kompanive të basteve

Sipas një raporti nga një hetim parlamentar në Austri, del se ekziston një “varësi reciproke” midis ish-qeverisë konservatore dhe asaj të ekstremit të djathtë dhe një korporate të madhe lojërash fati.

Gjyqtari që mbikëqyri të ashtuquajturin hetim të Komitetit Ibiza dorëzoi dje në parlament draftraportin prej 870 faqesh.

Komiteti hetimor u krijua për të zbuluar korrupsionin e mundshëm gjatë koalicionit midis Partisë konservatore të Popullit Austriak (OeVP) dhe Partisë së Lirisë së Austrisë të së djathtës ekstreme (FPOe) midis 2017 dhe 2019.

Lidhjet jashtëzakonisht të ngushta midis këtyre partive dhe grupit austriak Novomatic “i mundësuan këtij të fundit të ketë një fjalë në fushën e lojërave të fatit dhe perspektivën e një ndryshimi të dëshiruar të ligjit të lojërave të fatit”, tha agjensia e shtypit APA, duke cituar raportin jopublik.

“Përfaqësuesit e qeverisë patën shkëmbime të dukshme të rregullta dhe intensive me Novomatic”, shtoi agjensia.

Dokumenti duhet ende të miratohet nga parlamenti, por nuk mund të ndryshohet më.

Komiteti Ibiza u nxit nga një video e regjistruar fshehurazi në vitin 2017, ku udhëheqësi i atëhershëm i FPOe, Heinz-Christian Strache foli në ishullin e pushimeve spanjolle për flukset e diskutueshme të donacioneve politike dhe për ndikimin e mundshëm politik në biznes dhe media.

Pas lëshimit të regjistrimeve në 2019, koalicioni i udhëhequr nga lideri i OeVP, Sebastian Kurz, u shpërbë.

Pas zgjedhjeve të reja, kancelari Kurz krijoi një qeveri me të Gjelbrit.

OeVP dhe FPOe kanë mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat se ka pasur kronizëm gjatë kohës së tyre në qeverisje së bashku.

Paralelisht me parlamentin, gjyqësori po heton politikanë nga të dyja partitë.

LEXO EDHE:

Back to top button