Një rënie e ndjeshme në Wall Street

Aksionet e Wall Street ranë të hënën pasi presionet inflacioniste në SHBA nuk u zbutën aq shpejt sa kishin shpresuar investitorët, duke ngritur pikëpyetje se deri ku Fed do të rrisë normat e interesit.
Dow Jones ra 1.4 për qind në 33.947 pikë, ndërsa S&P 500 ra 1.8 për qind në 3.998 pikë dhe Nasdaq ra 1.93 për qind në 11.239 pikë. Pas rritjes për dy javë radhazi, këta indeks ranë ndjeshëm në fillim të javës së re.
Tregu i aksioneve ka ardhur në rritje javët e fundit falë shpresës së investitorëve se banka qendrore e SHBA do të ngadalësojë ritmin e rritjes së normave të interesit që në dhjetor. Shumica e analistëve presin që Fed të rrisë normat e interesit me vetëm 0.50 pikë përqindjeje këtë muaj pas një serie rritjesh prej 0.75 pikësh.
Megjithatë, lehtësimi i presioneve inflacioniste nuk po ecën aq shpejt sa kishin shpresuar investitorët. Të dhënat e publikuara të premten nga tregu i punës në SHBA treguan se numri i të punësuarve vazhdoi të rritet më shumë se sa pritej dhe se pagat u rritën gjithashtu, gjë që mbështeti konsumin, por edhe presionet inflacioniste. Të dhënat e publikuara gjatë ditës së djeshme, megjithatë, tregojnë se aktivitetet në sektorin e shërbimeve vazhdojnë të rriten ndjeshëm dhe punësimi në atë sektor po rritet gjithashtu.