Një varrezë masive e njerëzve është gjetur në Izjum të Ukrainës

Një varrezë masive e njerëzve është gjetur në Izjum të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke lënë mbrapa saj “gjurmë të vdekjes”.Ai e ka bërë këtë deklaratë pas identifikimit të një varreze masive në qytetin e rikthyer të Izjumit.Ushtria ukrainase ka nisur ditë më parë një kundërofensivë në rajonin verilindor të Harkivit, duke çliruar një mori vendbanimesh.

“Një varrezë masive e njerëzve është gjetur në Izjum, në rajonin e Harkivit”, ka thënë Zelensky në një adresim para publikut.

“Veprimet e nevojshme procedurale tashmë kanë nisur”.

“Buça, Mariupoli, tani fatkeqësisht Izjumi”, ka thënë Zelensky, duke përmendur edhe qytetet tjera ukrainase ku autoritetet kanë thënë se pas zmbrapsjes së trupave ruse kanë gjetur varreza masive dhe të dhëna për krime lufte.

“Rusia është duke lënë gjithandej vdekje mbrapa saj, dhe ajo duhet të mbahet përgjegjëse”, ka thënë ai.

Zelensky nuk ka dhënë hollësi për numrin e trupave të gjetur, mirëpo ka thënë se informacionet tjera do të bëhen publike më 16 shtator.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë se të paktën 440 trupa të vdekur janë gjetur në këtë varrezë masive në Izjum.“Varreza masive janë duke u zbuluar në Izjum pas çlirimit të qytetit nga (rusët)”, ka thënë ministria përmes një postimi në Twitter.

Mijëra trupa ushtarake ruse kanë ikur nga Izjumi javën e kaluar, qytet të cilin e kanë pushtuar pak ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë’ Ata e kanë shfrytëzuar qytetin si pikë furnizimi në rajonin e Harkivit.

Forcat ushtarake ruse kanë lënë mbrapa vetes sasi të mëdha të pajisjeve dhe municionit.Rusia nuk ka komentuar këto deklarata, mirëpo vazhdimisht mohon akuzat për sulme ndaj civilëve.

Zelensky ka udhëtuar drejt Izjumit më 14 shtator dhe ka marrë pjesë në një ceremoni të ngritjes lart të flamurit ukrainas.

Kurse më 15 shtator Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën në vlerë të 600 milionë dollarëve amerikanë, si mbështetje ndaj kundërofensivës së Kievit.

Në një dokument të Shtëpisë së Bardhë, është thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përdorur autoritetin e tij për të autorizuar transferimin e armëve nga stoqet amerikane.

Në ndihmë përfshihen pajisje dhe trajnime.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

LEXO EDHE:

Back to top button