Një vit nga Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Një vit nga Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Një vit nga Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Megjithatë, zbatimi i saj vazhdon të shihet si vështirë i arritshëm.
Njohësit e procesit të dialogut, thonë se procesi ka hyrë në një qorrsokak. Politologu Dritëro Arifi, e sheh dialogun si të cunguar dhe pa qasje serioze nga ndërmjetësuesit.
“Vështirë të shohim implementimin e marrëveshjes së Brukselit, respektivisht aneksit të Ohrit. Palët janë të fortifikuara në qëndrimet fillestare, pavarësisht çka ka ndodhur pas asaj marrëveshje, unë mendoj se palët nuk janë të gatshme. Mendoj se duhet të thyhet izolimi i Kosovës. Kosova duhet të avancohet tutje në integrime dhe besoj se kjo do të ishte forma më e mirë që kjo marrëveshje të jetësohet dhe të thyhet komplet izolimi. Në këtë formë mund të ketë një ecje përpara të dialogut”, tha Arifi.
Gjithashtu, skeptik për zbatimin e ujdive të Brukselit dhe të Ohrit është edhe analisti politik, Arbnor Sadiku, i cili thotë se marrëveshja do të zbatohet vetëm pas zgjedhjeve në BE dhe Kosovë.
“Sa i përket implementimit të kësaj marrëveshje konsideroj se kjo nuk mund të implementohet jo vetëm pas zgjedhjeve që do të mbahen në BE, por edhe pas zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë, pasi dihet se ky është vit zgjedhor dhe praktikisht deri në viti 2025 s’do të ketë zbatim të marrëveshjes”, tha Sadiku.
Sipas analistëve, bazuar në periudhën zgjedhore, gjasat janë të mëdha që marrëveshja mos të zbatohet as për vitin 2024. Megjithëse, Parlamenti Evropian më 29 shkurt ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkon qasje të re në procesin e dialogut dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për qasje jokonstruktive në dialog dhe që është e interesuar vetëm për konflikt dhe aneksim të territorit të Kosovës. Në anën tjetër, partitë opozitare janë të shqetësuara, siç thonë, për pranimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të sjellë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë./ Alsat.mk