Një zakon që mund të zgjasë jetën e ish-duhanpirësve
E ke lënë duhanin? Ky zakon ushqimor mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes me 27 për qind.

Ka shumë arsye për të lënë duhanin, duke përfshirë faktin se heqja dorë nga ky zakon mund të shtojë deri në 10 vjet në jetën tuaj, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit.
Nëse tashmë e keni lënë duhanin, atëherë duhet të dini se, sipas hulumtimeve të reja, mund të zvogëloni më tej rrezikun e vdekjes duke u ushqyer shëndetshëm.
Studimi, i kryer nga studiues nga Instituti Kombëtar i Kancerit (NCI) dhe i publikuar në JAMA Network Open, analizoi 159,937 ish duhanpirës midis 1995 dhe 1996. Pjesëmarrësve, të cilët ishin mesatarisht 62.6 vjeç, iu kërkua që në fillim të studimit t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me stilin e tyre të jetesës. Studiuesit më pas i ndoqën këta pjesëmarrës për rreth 19 vjet. Gjatë asaj periudhe, 86.127 prej tyre vdiqën.
Zakonet e të ngrënit të pjesëmarrësve u krahasuan me Indeksin e Ushqimit të Shëndetshëm 2015. Ky indeks tregon nëse dhe në çfarë mase dieta është në përputhje me udhëzimet aktuale dietike. Pjesëmarrësit, dieta e të cilëve u vlerësua më e larta në indeks, kishin një rrezik 27% më të ulët të vdekjes. Me fjalë të tjera, rezultatet sugjerojnë se ish-duhanpirësit që hanë shëndetshëm mund të jetojnë më gjatë se ish-duhanpirësit që nuk hanë shëndetshëm.

Studiuesit vunë në dukje se ata me rezultatet më të larta kishin gjithashtu 24% më pak gjasa të vdisnin nga kanceri, 28% më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 30% më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e frymëmarrjes.
“Mbajtja e një stili jetese të shëndetshme zakonisht përfshin një dietë të ekuilibruar dhe aktivitet fizik për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm dhe për të mbrojtur kundër shumë sëmundjeve kronike,” thotë dietologia Kieran Campbell për Eat This.
Sa i përket ushqimeve që mund të jenë më të mirat për ish-duhanpirësit, ato janë frutat, perimet, bishtajoret, drithërat, produktet e qumështit, ushqimet e detit dhe ushqimet që përmbajnë proteina dhe acide yndyrore. Gjithashtu rekomandohet kufizimi i marrjes së drithërave të rafinuara, natriumit, sheqernave të shtuara dhe yndyrave të ngopura.
Një lëndë ushqyese për të cilën kanë nevojë vërtet ish-duhanpirësit është vitamina C.
“Është treguar se pirja e duhanit ul nivelet e beta-karotenit, selenit, zinkut, vitaminës E dhe disa vitaminave B. Kjo është kryesisht për shkak të kancerogjenëve të dëmshëm të pranishëm në cigare dhe tymin e thithur nga duhanpirësit. “Duhanpirësit kanë më pak gjasa të konsumojnë fruta dhe perime, veçanërisht ato me më shumë vitaminë C dhe karotinë”, shtoi Campbell.