NQP lëshoi në përdorim aplikacionin e ri, por kjo nuk shkurton pritjet e qytetarëve
NQP lëshoi në përdorim aplikacionin e ri, por kjo nuk shkurton pritjet e qytetarëve

Gazetare: Linda Ebibi
Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) promovoi mënyrën e re të pagesës për biletën e një udhëtimi përmes numrit 185 dhe aplikacion për qarkullimin e autobusit. Por as mënyra e re e të paguarit të biletës nuk ua ka shkurtuar pritjet qytetarëve të cilët tash e disa muaj me orë të tëra presin për autobus. Nga ana tjetër qytetarët thonë se për mënyrën e re të pagesës së biletës nuk janë të informuar.
Për qytetarët mjafton që të ketë autobusë, ndërsa mënyra e pagesës nuk është aq me rëndësi të madhe. Përveç kësaj për të gjetur një vend në autobusët e NQP-së është pothuajse mision i pamundur.
“Çfarë të them nuk e di, mua kur më duhen autobusë rrallë herë ka autobusë. Varet ndonjëherë pres shumë për autobusë ndonjëherë jo”, u shpreh një qytetare.
“Gjysme ore presë, por po pres deri tek Vero Jumbo. Unë jam pensioner, paguaj si pensionist. Duhet të ketë më shumë autobusë”, tha një qytetar.
“Diku rreth 15-16 minuta pres. Unë udhëtoj vetëm në bazë të nevojës me autobusë. Duhet të nisesh në kohë, ndonjëherë presim më shumë ndonjëherë jo, ndonjëherë një orë, dy, varet”, tha një tjetër qytetar.
“Një orë e gjysmë. Për ku po prisni? Për në Haraçinë. Nuk ka aspak. Çka mendoni për mungesën e autobusëve? Valla katastrofë, për nxënësit e shkollës katastrofë. Çdo dit prisni kështu? Çdo ditë, çdo ditë, e kemi punën këtu, e kemi paqare”, theksoi një qytetar.
“Pothuajse 20 minuta. E pres 8-shin që është më i parregullti. Çdo ditë është kështu. Le të dëgjojnë autoritetet se për këtë popull duhet të ndërmerret diçka, i kemi votuar dhe duhet bërë diçka. Kjo është turp, dhe kush e paguan këtë, njerëzit e thjeshtë, që lëvizim me autobusë”, u shpreh një qytetare.
Nga ana tjetër, Enti Shtetëror i Revizionit në raportin e fundit për vitin 2023 ka konstatuar një sërë parregullsish në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik-Shkup. Raporti tregon se NQP nuk është në gjendje të ofrojë shërbime cilësore, ka parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e dërmarrjes.
Ministria e Arsimit prej dy vitesh nuk ka paguar për transportin falas të studentëve. Kjo pasi Qeveria nuk ka marrë vendim për miratimin e parave nga buxheti për mbulimin e shpenzimeve të transportit falas për studentët e rregullt në universitetet shtetërore.
Auditorët konstatuan gjithashtu se për shkak të pagesës së vonuar, transportuesit operojnë me kapacitet të reduktuar dhe nuk plotësojnë kapacitetin e kërkuar prej të paktën 80 për qind. /Alsat.mk