Nuk dihet nëse në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë do të përfshihet edhe Ukraina si palë
Nuk dihet nëse në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë do të përfshihet edhe Ukraina si palë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Mbetet i paqartë fati i Ukrainës. Pas lajmërimit nga zyrtarët amerikanë se Presidenti Trump, do të dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën, me qëllim për t’i dhënë fund luftës gati tri vjeçare, presidenti ukrainas Zelenski ka thënë se Ukraina nuk ka marrë asnjë thirrje për bisedime në Arabinë Saudite. Për më tepër, në njoftimin e zyrtarëve amerikanë, Evropa nuk ka vend në tryezë për bisedime. Ky vendim ka ngjallur pasiguri për Ukrainën, presidenti i së cilës ka thënë se, Ukraina nuk do të bisedojë me Rusinë pa u këshilluar fillimisht me aleatët e vet evropianë. Për fatin e paqartë të Ukrainës, jo vetëm aleatet e saj, por edhe Japonia ka reaguar.
“Japonia ka shpresa në udhëheqjen e re të SHBA-së në këtë drejtim, por lufta duhet të ketë një fund të drejtë dhe korrekt. Për të përpunuar, ne duhet të vendosim një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Një fund, në të cilin Rusia bëhet fituese nuk duhet të ndodhë. Jam i shqetësuar se kjo do të kishte një ndikim në Azi dhe sigurinë e botës”, tha Takeshi Iuaja, ministër i jashtëm i Japonisë.
Në anën tjetër, liderët evropianë do të mbajnë takim urgjent për gjendjen në Ukrainë, pas shqetësimeve se Uashingtoni do të lërë Evropën jashtë bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Më herët, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje vendeve të Evropës për themelimin e një ushtrie të përbashkët, në rast të tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.