“Nuk e kam shkelur Kodin etik dhe nuk do të kërkoj falje” – Si reagoi sot Xhaferi para gazetarëve
“Nuk e kam shkelur Kodin etik dhe nuk do të kërkoj falje” – Si reagoi sot Xhaferi para gazetarëve

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi nuk do t’u kërkojë falje shërbimeve të Kuvendit që i shau dhe i fyeu në fund të seancës së dhjetë ditëve më parë.
Ai nuk vlerëson se ka bërë shkelje të Kodit etik. Shton se për këtë çështje ka një procedurë e cila ndiqet në organet e Kuvendit, shkruan Alsat.
“Nuk ndjej nevojë që të kërkoj falje. Le të tregojë opinioni a është normale. Duke bërë vlerësimet e mija nuk mendoj që e kam shkelur Kodin etik. Të tjerat janë çështje të brendshme të Kuvendit. Sharja nuk u është drejtuar të punësuarve, nëse e dëgjoni ashtu si e kam thënë. Nëse dëgjoni atë që ua imponon opozita, është diçka tjetër. (Sharja) është ndaj punës, ndaj qasjes që e kanë ndaj punës”, ka thwnw Talat Xhaferi.
Xhaferi arsyeton sharjet dhe bërtitjet me atë që shërbimet nuk kanë kryer detyrimet e tyre në mënyrën e duhur. Në takim joformal me gazetarët, Xhaferi refuzoi ta sqarojë situatën deri në fund, duke thënë se ato janë çështje të brendshme të Kuvendit për të cilat opinionit nuk i intereson. Edhe pse në takim ishte e pranishme Sekretarja e Përgjithshme e ligjvënësit, Cvetanka Ivanova, kryeparlamentari nuk lejoi që ajo të përgjigjet për mediat për këtë rast.
“Shërbimet e Kuvendit, sipas ligjit, kanë 20% rrogë më shumë se cilido koleg i tyre në një institucion tjetër. Nuk do të lejoj që në orar pune të shëtisin në rrugën “Maqedonia”. Duhet t’i kryejnë detyrimet e tyre. Nëse i shkohet çështjes deri në fund dhe të ketë pasoja, për një gabim të tillë, mbahet përgjegjësi. Sepse materialet që janë përgatitur para votimit të rendit të ditës, ashtu siç ishin përgatitur, e kthenin seancën nga fillimi. Nëse nuk e vëreja unë gabimin, nuk e di se si do të dilnim nga ajo situate”, u shpreh tutje ai.
Kreu i Kuvendit i propozoi mediave të bëjnë ankete me të punësuarit në Kuvend, për të mësuar se çfarë mendojnë ata për trajtimin nga ana e tij.
VMRO-DPMNE-ja i bën thirrje kreut të Komisionit për çështje të Rregullores, mandatit dhe imunitetit, Panço Minov, të caktojë sa më shpejt seancën në të cilën do të diskutohet procedura disiplinore ndaj Xhaferit. Deri tani Minov nuk ka treguar se kur do ta caktojë seancën.
“Është skajshmërish e patolerueshme që njeriu i cili i pari e firmosi Kodin etik të sjelljes ta shkelë në mënyrën më të rëndë dhe të ikë nga përgjegjësia dhe bashkë me deputetët e pushtetit të provojnë në secilën mënyrë të mundshme ta fshehin këtë skandal poshtë tapetit. Xhaferi, më e pakta që mund të bënte, është të kërkojë falje për këtë sjellje dhe të dorëzojë dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Kuvendit”, tha Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja, përpara se të komentojë incizimin, thotë se duhet të shikohen të gjitha faktet.
“Si t’ju them… Realisht akoma nuk e kam parë incizimin. Kam dëgjuar por nuk e kam parë mirë. Kështu që… Të vërtetojmë fillimisht cila është arsyeja. Unë do ju them se kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi realisht nga shërbimet është njëri nga kryetarët më të dashur deri tani sepse shumë angazhohet për shërbimet e Kuvendit”, u shpreh Daniella Markoska, LSDM.
Rreth dhjetë ditë më parë, pas ndërprerjes së seancës në orët e mbrëmjes, Xhaferi u ishte drejtuar shërbimeve me fjalë të rënda duke i ftuar në zyrën e tij. Ky moment besohet të transmetuar në kanalin e Kuvendit, në kohën kur transmetimi duhet të ishte mbyllur. E qëllimshme ose jo nga ana e shërbimeve, edhe kjo do të duhet të vërtetohet./ Alsat.mk