Nuk ekziston qendër për rehabilitim e të varurve nga lojërat e fatit, trajtimi i tyre bëhet bashkë me të varurit nga alkooli e droga
Nuk ekziston qendër për rehabilitim e të varurve nga lojërat e fatit, trajtimi i tyre bëhet bashkë me të varurit nga alkooli e droga

Gazetar: Avni Tahiri
Në vendin tonë nuk ka vend të veçantë rehabilitimi për personat e varur nga lojërat e fatit. Institucioni i vetëm ku trajtohen këta persona është po i njëjti ku trajtohen e personat e varur nga alkooli, dhe përdoruesit e lëndëve narkotike.
“Në vendin tonë ekziston vetëm një opsion shërimi dhe atë vetëm qendra e rehabilitimit “Pokrov” në Strumicë, por ajo qendër nuk është program shtetëror edhe pse merr pjesë në financim edhe ministria për punë dhe politikë sociale apo për demografi dhe të rinj tani por ajo programe nuk është e mjaftueshme për të gjithë shtetin sepse atje mund të rehabilitohen më së shumti 20 apo 25 persona por atje më së shumti janë personat e varur nga droga dhe alkooli” , deklaroi Vllatko Dekov – Hulumtues kryesor i HOPS.
Në një hulumtim online nga organizata joqeveritare HOPS vë në dukje se të rinjtë janë shfrytëzues të lojërave të fatit. Nga gjithsejtë 214 të anketuar, 152 kanë thënë se kanë luajtur bixhoz online, kanë vizituar kazino të ndryshme, apo baste sportive. Nga ky numër, 30% kanë provuar fatin e tyre disa here brenda vitit, 18 % kanë provuar fatin në kazino të ndryshme çdo ditë. 2.8 % janë të rinj nën moshën 18 vjeçare, 24% të moshës 18 deri në 21 vjeçare.
“Sa i përket vendit ku të rinjtë kanë luajtur lojëra të bixhozit, sipas analizës së bërë në 30 ditët e fundit, më së shumti janë frekuentuar kazinotë dhe atë 26.2 % kanë thënë se më së shumti kanë vënë bast në kazino, por nuk është i ulët numri edhe vënia bast neper baste sportive apo 23.8 % nga të anketuarit kanë thënë se në 30 ditët e fundit kanë vënë bast në baste sportive. Rreth 44.4 %e të anketuarve kanë thënë se luajnë lojëra të fatit për argëtim por nuk është i ulët numri i atyre që kanë thënë se luajnë që të fitojnë para dhe atë 25 %”, tha Vllatko Dekov – Hulumtues kryesor i HOPS.
Sipas analizës që e ka realizuar organizata HOPS në bashkëpunim edhe me një organizatë të Kosovës, edhe pse në këtë shtet është i ndaluar me ligj bixhozi, numri i të rinjve që kanë përdorur bixhozin online atje, apo kanë frekuentuar kazinotë, është më i lartë se në vendin tonë. Në të shumtën e rasteve, të rinjtë e Kosovës, vizitojnë kazinotë e vendit tonë për të provuar fatin. /Alsat.mk