Gazetar: Avni Tahiri
Mirosllav Spasovski, me profesion është mjek. Që herët në mëngjes, u përball me mungesën e një koshi plehrash të zbrazur në lagjen e tij në Karposh të Shkupit. Mospasja e mundësisë që të hedh mbeturinat në kosh, u detyrua të lëshojë qesen në deponinë e krijuar pranë kontejnerëve.
Aspekti shëndetësor është alarmant, thotë mjeku Spasovski.
“Këtë që e shohim është një pamje jo e bukur, dhe nuk ka estetikë por në fund të kësaj mizërie është ajo që nuk duket, janë mikrobet që nuk i shohim që janë salmonella, esheria, klebsiella dhe këtë ne e shkelim dhe më pas e dërgojmë në shtëpi dhe më pas atë e thithin fëmijët tanë sepse pluhuri shkon lart dhe ngjitet në tepihët tonë, pra, pjesa shëndetësorë është edhe më alarmante”, tha Mirosllav Spasovski – mjek.
Mjeku Spasovski thotë se më të rrezikuar janë personat që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me koshat e plehrave e sidomos të pastrehët të cilët ndonjëherë kërkojnë ushqime nga koshat e plehrave.
“A mund të paraqitet Tuberkulozë? Absolutisht po, tuberkulozi është sëmundje sociale, pra pa dashur të ofendoj askënd por shoh njerëz që vijnë dhe ushqehen nga këtu dhe përziejnë mbeturinat dhe në këto raste bie imuniteti dhe paraqiten sëmundje të tilla, ndër të cilat edhe tuberkulozi”, shtoi Mirosllav Spasovski – mjek.
Spasovski këshillon qytetarët që të shmangin afrimin pranë kontejnerëve, veçanërisht kur ata janë të stërmbushur apo kur janë krijuar deponi përreth tyre. Ai thekson se, për shkak të rrezikut nga mikrobet që mund të barten, është e domosdoshme që qytetarët të dezinfektojnë këpucët para se të hyjnë në shtëpi apo në ambiente të mbyllura. /Alsat.mk








