Nuk pagoi detyrimet financiare, WBC i heq titullin kampionit të botës

Boksieri amerikan Terens Kraford nuk është më kampioni i padiskutueshëm i peshave super të mesme në boks, pasi WBC ia hoqi rripin të mërkurën për mospagim të tarifave të sanksionimit. Presidenti i WBC, Mauricio Sulaiman, pretendon se Kraford nuk i pagoi tarifat e detyrueshme organit sanksionues për dy ndeshje radhazi, përfshirë fitoren e tij më 13 shtator kundër Kanelo Alvarez.

“WBC i dërgoi komunikime të shumta kampionit Kraford, menaxherit të tij dhe këshilltarit të tij ligjor,” tha WBC në një deklaratë për mediat.

 

“Fatkeqësisht, WBC nuk mori një konfirmim marrjeje dhe as ndonjë përgjigje për asnjë nga këto komunikime. WBC nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vepronte“, thuhet më tej në deklaratë.

 

Sipas Sulaiman, Kraford i detyrohet 300,000 dollarë për ndeshjen me Kanelo Alvarez, përveç tarifave për fitoren e tij në gusht 2024 kundër Israil Madrimov.

 

“Me keqardhje të thellë, trishtim të thellë, me të gjitha përpjekjet, mbështetjen dhe hapat që WBC ndërmori me mirëbesim për Kraford”, tha Sulaiman, për CBS Sports.

 

“WBC luajti një rol të rëndësishëm në realizimin e asaj ndeshjeje, por të marrësh një shuplakë në fytyrë është e trishtueshme. Është shumë e komplikuar t’ia heqësh një titull një kampioni dhemb shumë”, shtoi më tej presidenti i WBC.

38-vjeçari Kraford (42 fitore e  asnjë humbje, 31 fitore KO) ende mban titujt WBA, IBF dhe WBO pas fitores me vendim unanim kundër Alvarez.

Titulli i lirë WBC do të jetë në lojë kur Hamzah Sheeraz (22-1) të përballet me Kristian Mbilli (29-0-1).

LEXO EDHE:

Back to top button