Nuk zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, dështon edhe seanca e 15-të
Nuk zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, dështon edhe seanca e 15-të

Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Ligjvënësit refuzuan që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar liderët politikë për një takim të enjten, në tentim për të zgjidhur ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se do ta shqyrtojnë ftesën e presidentes për takim konsultativ. Ai tha se për ftesën do të vendosë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, i cili përbëhet edhe nga partnerët Guxo dhe Alternativa. Kreu i AAK-së Haradinaj tha se në takim te presidentja do të dëgjojnë qëndrimet e saj për zgjidhjen e krizës politike. Deri tani takimin e kanë konfirmuar Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Duhet me pa se çka ka vendosur Grupi Parlamentar. Gjithsesi që shqyrtohet ftesa dhe shihet se çka është dhe besoj tani ju njoftojmë”, deklaroi Hekuran Murati, Vetëvendosje.
“Do të dëgjojmë presidenten, me e pa se çfarë qëndrime ka apo çfarë sugjeron. Të njëjtën kohë nëse ka edhe nga ne ndonjë sugjerim do të japim. Sikurse e dini ne jemi në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seanca”, tha Ramush Haradinaj, AAK. /Alsat.mk