Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka shkuar në mbi 11 mijë

Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka shkuar në mbi 11 mijë

Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi e Siri vazhdimisht po rritet. Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar. Por, përpjekjet e shpëtimit hasin në vështirësi të shumta për shkak të temperaturave të ulëta dhe qindra pasgoditjeve, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.
43 orë pas tërmetit një fëmijë 3 vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në një ndërtesë të shembur Kahramanmaras.

Dhjetëra shtete nga mbarë bota përveç ndihmës emergjente humanitare, kanë dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit. Ato kanë arritur të shpëtojnë shumë persona të ngujuar nën rrënoja.

Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta. Qeveria turke ka vazhduar të sigurojë strehim për personat që kanë mbetur në rrugë, pasi shtëpitë e tyre u rrëzuan në tërësi apo konsiderohen shumë e rrezikshme për të jetuar afër. Qindra mijëra njerëz e kaluan natën në konvikte, shkolla, xhami dhe ndërtesa të tjera publike, ndërsa të tjerë u strehuan në hotele që hapën dyert falas për të prekurit. Mirëpo, furnizimi me ushqim ka qenë i vështirë për t’u realizuar për të gjithë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan vizitoi zonat e prekura nga tërmeti. Ai tha se Qeveria ka synim të mbyllë procesin e rindërtimit të godinave të shkatërruara brenda një viti dhe se çdo familje e prekur nga tërmeti do të marrë 10 mijë lira.

“Nuk lejojmë që njerëzit tanë të qëndrojnë në rrugë, është koha të ecim të gjithë bashkë si popull. Pas një viti do ngremë godinat e reja, qëllimi ynë është të mballimin rindërtimin brenda një viti. Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona hotelerike për strehimin e njerëzve, po bëjmë çdo gjë për t’ju garantuar ushqim, veshmbathje dhe transportimin në zonat e tjera. Ministria e Financave ka përcaktuar buxhetin për të nisur verifikimet e dëmeve dhe do japim 10 mijë lira për çdo familje të prekur nga tërmeti, në mënyrë që të përballojnë këtë situatë”, tha Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë.

Ndërkohë në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta që po zgjat që 12 vjet. Gjysmëhëna e Kuqe siriane bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të heqë sanksionet e vendosura ndaj Qeverisë së presidentit autoritar sirian, Bashar al-Assad, për të lehtësuar përpjekjet e shpëtimit.

Tërmeti prej 7.8 ballësh ishte më i fuqishmi që ka goditur Turqinë që nga viti 1939, kur 33.000 persona u vranë në provincën Erzincan. Mbi 17.000 persona u vranë në vitin 1999 nga tërmeti në këtë zonë, që është një prej zonave me aktivitet më të madh sizmik në botë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button