Numri i viktimave që nga fillimi i luftimeve ka kaluar shifrën 27 mijë
Numri i viktimave që nga fillimi i luftimeve ka kaluar shifrën 27 mijë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Së paku 15 vetë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, në jug të Gazës, në qytetin Rafah. Më shumë se 27 000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori, raportuan zyrtarët e shëndetësisë.
Ndërkohë që sulmet vazhdojnë, ndërkombëtarët përpiqen të arrijnë një marrëveshje mes të dyja palëve. Udhëheqësit e Hamasit kërkojnë që Izraeli të lirojë Maruan Barghuti, një udhëheqës i rivalit kryesor politik të grupit militant, si pjesë e çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza. Nga ana tjetër, Izraeli kërkon lirimin e më shumë se 100 pengjeve të mbajtura ende nga Hamasi në Gaza.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 80% e popullsisë së Gazës, janë të zhvendosur, me gati gjysmën e tyre që kanë mbushur skajin më jugor të Rripit. Në të gjithë Gazën, zonat e banuara kanë mbetur të rrënuara, rrugët janë kthyer në gërmadha dhe tokat bujqësore gjithashtu janë shkatërruar, për t’jua lënë vendin tendave që ngrihen në kufirin jugor për të strehuar mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi. Sipas të dhënave satelitore të marra nga BBC rezulton të jenë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në të gjithë Gazën midis 50% deri në 61% e ndërtesave./Alsat.mk