Nxehtësia ekstreme mund të sjellë ndryshime në Botërorin e Klubeve
Nxehtësia ekstreme mund të sjellë ndryshime në Botërorin e Klubeve

Kupa e Botës për Klube 2025, në formatin e saj të zgjeruar, ka hyrë në fazën çerekfinale mes spektaklit në fushë dhe polemikave jashtë saj. Turneu ka sjellë rezultate të papritura, ku skuadra si Fluminense, Botafogo, Flamengo dhe Al Hilal kanë eliminuar gjigantë si Interi, Manchester City, PSG dhe Chelsea. Inter Miami i Lionel Messit mposhti gjithashtu Porton, duke i dhënë fund një serie të gjatë dominimi evropian.
Por përveç dramës sportive, nxehtësia përvëluese dhe moti i paparashikueshëm në SHBA kanë shkaktuar shqetësime serioze për mirëqenien e lojtarëve. FIFPRO po shqyrton mundësinë e pushimeve më të gjata gjatë ndeshjeve për të mbrojtur futbollistët, ndërsa FIFA theksoi nevojën për diskutim të përbashkët për t’u përballur me rreziqet klimatike.
“Kushtet e nxehtësisë janë një temë serioze që ndikojnë në futbollin globalisht ”, tha për Reuters organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA.
“Diskutimet se si të përballemi me kushtet e nxehtësisë duhet të zhvillohen kolektivisht… Mbrojtja e lojtarëve duhet të jetë në qendër.”
Edhe pjesëmarrja e tifozëve ka qenë më e dobët se pritej, veçanërisht në ndeshjet e klubeve evropiane, ndonëse tifozët e Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme kanë ofruar atmosferë të zjarrtë.
Me gjysmëfinalet dhe finalen të planifikuara në stadiumin MetLife, ku temperaturat mund të arrijnë mbi 32°C, debatet rreth kushteve klimatike pritet të thellohen – një paralajmërim i fortë për organizatorët e Kupës së Botës 2026.