Nxënësit e klasave të nënta morën dëftesat dhe ndanë rrugët me shkollën fillore
Nxënësit e klasave të nënta morën dëftesat dhe ndanë rrugët me shkollën fillore

Gazetar: Avni Tahiri
Në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit, arsimtarët e klasave të nënta sot mbanin orën e fundit me nxënësit, orë kjo kushtuar dhënies së dëftesave dhe përshëndetjes se fundit me nxënësit.
Për arsimtarët kjo është dita më e vështirë, pasi pas katër vitesh bashkë, nga shtatori do të fillojnë me nxënës të ri dhe gjenerata të reja.
“Me nxënës të këtillë kaluam shumë mirë. Sot e keni ditën e fundit? Po kjo është ora e fundit në këtë shkollë. U dëshiroj suksese dhe të jenë të suksesshëm, të mençur siç ishin deri tani dhe të vazhdojnë edhe në të ardhmen kështu. Sigurisht ju do të jeni në ndjekje të suksesit të tyre. Sigurisht, do jemi në kontakt dhe për gjithçka që do kenë nevojë edhe pse nuk do të jem më kujdestare e tyre, do jemi për njëri-tjetrin”, deklaroi Hilda Drpljanin – Arsimtare.
Pas marrjes së dëftesave dhe përshëndetjes me arsimtaren, nxënësit veç më kishin zgjedhur se në çfarë drejtimesh do të regjistrohen në shkollat e mesme. Kishte disa nxënës që do të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale.
“Unë dua të regjistrohem në “Pance Karagjozov” për teknik dhëmbësh, nesër janë regjistrimet dhe shpresoj që do të me pranojnë”, tha një nxënës.
“Unë do të regjistrohem në “Marija Kiri” për laborant medicional”, u shpreh një nxënës.
“Për mua kjo ditë është jo edhe aq e lumtur sepse sot është dita e fundit që do të ndahemi me personat që së bashku kemi kaluar nëntë vite dhe kemi mjaftë kujtime. Kjo është dita e fundit por sigurisht që ne do të shoqërohemi edhe në të ardhmen”, theksoi një nxënëse.
Teuta Imeri, drejtoreshë e Shkollës Fillore “Ismail Qemali” në Çair, tha se ky vit ka qenë mjaftë i suksesshëm për këtë shkollë ndërsa semi maturantët që sot morën dëftesat e klasave të nënta, tha se kanë qenë shembullor dhe i kanë sjellë shumë medalje shkollës me njohuritë e tyre.
“Janë ndarë të gjitha dëftesat e klasave të nënta, janë gjashtë paralele dhe sot zyrtarisht i përcjellim nxënësit nga shkolla jonë dhe u dëshiroj shumë fat. Gjithsejtë kishim 181 semi maturantë. Ky vit ishte shumë i suksesshëm për shkollën tonë dhe falënderoj stafin dhe mësimdhënësit dhe nxënësit të cilët sollën shumë çmime ndërkombëtarë ballkanike si dhe republikane në lëmi të ndryshme”, deklaroi Teuta Imeri – Drejtoreshë e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Çair.
Në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit mësojnë mbi 1600 nxënës shqiptar dhe maqedonas nga klasa e parë deri në të nëntën. /Alsat.mk