Mbi 300 nxënës që mësojnë në afërsi të Trubarevës mësimin për një javë do ta ndjekin “online”. Drejtorja e shkollës “Krume Toshev”, thotë se mësimdhënësit kanë përvojë me organizimin e mësimit në distancë prandaj pret që procesi të zhvillohet pa pengesa.
“Për 320 nxënës të shkollës fillore “Krum Toshev” të Komunës së Gazibabës, dyert sot janë të mbyllura për shkak të ajrit të ndotur nga zjarri që shpërtheu në këtë komunë, mësimin do ta ndjekin për një javë online”, raporton Avni Tahiri – gazetar.
Nxënësit mungonin sot në oborr, por aty takuam drejtoreshën e kësaj shkolle Aleksandra Dimitrievska, e cila tha se mësimi online veç më ka filluar në mëngjes, ndërsa për shkak të përvojës së më hershme, të kohës së covid-it, mësimi në distancë nuk ka shkaktuar shqetësim as për nxënësit e as për mësimdhënësit.
“Në mëngjes filluam me mësim online, kjo nuk është e pa njohur për mësuesit tonë sepse para disa vitesh kishim kohen e Covid-it dhe kështu mësimdhënësit kanë përvojë me organizimin e mësimit të tillë po ashtu edhe nxënësit. Mirë janë gjendur, orët mbahen në rregull dhe shpresojmë që për një javë ashtu siç ishin edhe udhëzimit të përfundojë kjo mënyrë e realizimit të mësimit dhe ne si shkollë do të kthehemi në bankat shkollore”, tha Aleksandra Dimitrievska – Drejtoreshe e SHF “Krum Toshëv”.
Sipas rekomandimeve të Ministrisë së Arsimit, përveç shkollës fillore “Krum Toshëv” të Trubarevës, edhe në tre shkolla të tjera të komunës së Gazibabës, deri të premten, nxënësit do të duhet ta ndjekin mësimin online për shkak të ndotjes së lartë të ajrit nga zjarri që përfshiu objektin e mbetjeve plastike dhe elektronike. /Alsat.mk








