Nxënësit i dhanë sot fund gjysmë-vjetorit të parë

Gazetar: Melihate Rustemi
Me pak muzikë e argëtim, nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm përmbyllën gjysmë vjetorin e parë të shkollës. Deri më 19 janar nxënësit do të pushojnë nga detyrat e obligimet e procesit mësimor. Pavarësisht lodhjes këtyre muajve, nxënësit thonë se arritën suksese pasi mësimi nisi me prezencë fizike.
“Tash është më efektive se mësimi online na ka lënë me pasoja të këqija por tash gjithçka është në rregull. Prej këtyre muajve që kemi kaluar në shkollë jemi lodhur pa masë. Do ta shfrytëzoj maksimumin, merrem edhe me sport edhe do të vazhdojë me pasionin tim”.
“Jemi në rrugën e medicinës dhe duhet të vazhdojmë me prezencë fizike që të marrim më shumë njohuri sepse me mësim online do të kemi pasoja të shumta”.
“Me vetëbesim dhe me punë arrihet çdo gjë. Do të jem e lirë, do të pushoj pak sepse ka qenë angazhim i madh”.
Edhe drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit thonë se mësimi fizik mundësoi realizimin e programit të parashikuar për këtë gjysmëvjetor.
“Ishte i suksesshëm në të gjitha aspektet pasiqë edhe si shkollë ne nuk kishim raste të tilla, infektime për shkak të pandemisë. Edhe drejtimet të cilat janë të përcaktuara që një pjesë e tyre janë të domosdoshëm që të jenë prezent fizikisht nxënësit. Uroj dhe shpresoj që edhe gjysmëvjetori I dytë të filloj në këtë mënyrë dhe ta mbaroj në këtë mënyrë”, deklaroi Isuf Bislimi, ndihmës drejtor.
Sipas kalendarit të MASH-it për organizimin e mësimit, nxënësit në shkolla do të kthehen më 20 janar të vitit 2022. Pavarësisht rasteve të reja të infektimeve shtyrja e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë për momentin nuk është planifikuar pasi sipas kompetenteve, gjendja me virusin është e qëndrueshme. /Alsat.mk