OBSh: Përfitimet nga vaksina AstraZeneca i tejkalojnë rreziqet

Përfitimet e lidhura me vaksinën antiCOVID-19 AstraZeneca i tejkalojnë rreziqet, vlerësuan sot ekspertët nga OBSH, duke konfirmuar përfundimin e dhënë një ditë më parë nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).

“Vaksina AstraZeneca (…) vazhdon të ketë një profil pozitiv të rrezik- përfitimit, me potencial të madh për të parandaluar infeksionet dhe për të zvogëluar vdekjet globalisht”, tha Komiteti Global Këshillues për Sigurinë e Vaksinave (GACVS) i OBSH, në një njoftim për shtyp.

Ekspertët e GACVS u takuan virtualisht për të shqyrtuar informacionin dhe të dhënat në dispozicion “për ngjarjet tromboembolike (mpiksjen e gjakut) dhe trombocitopeninë (numër i ulët i trombociteve) pas vaksinimit me vaksinën AstraZeneca, raporton ATSh.

Pasi shqyrtuan të dhënat e provave klinike dhe raportet e sigurisë së vaksinave, të bazuara në të dhëna nga Europa, Britania e Madhe, India dhe Vigibase, një bazë e të dhënave globale e OBSH-së, ata arritën në përfundimin se “të dhënat e disponueshme nuk sugjerojnë një rritje të përgjithshme të çrregullimeve të gjakderdhjes (…) pas administrimit të vaksinës COVID-19”.

“Normat e raportuara të ngjarjeve tromboembolike pas administrimit të vaksinave COVID-19 janë në përputhje me numrat e pritur”, shkruajnë ata.

Opinioni i ekspertëve të OBSH-së ndjek atë të EMA-s, që dje vlerësoi se vaksina AstraZeneca kundër COVID-19, e pezulluar për një kohë nga disa vende të BE-së, ishte “e sigurt dhe efektive”.

LEXO EDHE:

Back to top button