Oda e tregtarëve e pakënaqur me vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve, kërkojnë takim me kryeministrin

Oda e tregtarëve e pakënaqur me vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve, kërkojnë takim me kryeministrin

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Oda e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë nuk pajtohet me vendimin e Qeverisë për kufizim të marzhave për 102 grupe të produkteve. Siç thonë, këto masa nuk i mbrojnë qytetarët e rrezikuar social, por përfitimin më të madh do ta kenë klientët me të ardhura më të larta. Si shembull, japin grupin e produkteve nga mishi, të cilat ata i llogaritin si luksoze. Gjithashtu, thonë se pavarësisht paralajmërimit të Qeverisë se bëhet fjalë për rreth 1000 produkte, në fakt sipas tyre lista përfshinë rreth 3000 deri në 4000 produkte.
“Vërejmë se në deklaratën e tij, zv.ministri vet demantohet. Nga njëra anë thuhet se marzha për produktet bazë ka qenë 20-25%, që është dhe arsyeja e vendosjes së marzhës në 5%, por nga ana tjetër thuhet se nuk do të ketë ulje të konsiderueshme të çmimeve. Është logjike që çmimet të ulen për 15-20% nëse marzha ulet në këtë mënyrë”, njoftojnë nga Oda Tregtare.

Për këtë shkak, nga Oda Tregtare kërkojnë që Qeveria më seriozisht t’i marrë parasysh argumentet e tyre, para se të marrin vendime serioze të cilat sjellin dëm të madh mbi të gjitha subjektet tregtare. Me vendime të tilla të përshpejtuara, i shkaktohet dëm të konsiderueshëm një numër të madh të subjekteve të cilat kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë, thonë nga Oda Tregtare. Ata kërkojnë përsëri takim me kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve.

Dje Qeveria miratoi vendim për vendosje të marzhave nga 5 deri në 15% për grupe të ndryshme të produkteve. 5% marzhë u vendos për produkte bazë si buka, miell tip 400 dhe tip 500, qumështi, vezët, vaji për gatim, jogurti dhe kosi.

10% marzhë është vendosur për 55 produkte sikurse për mishin, sheqerin, prodhime nga qumështi, gjalpi, pemë e perime të konzervuara, fasule, oriz, brumëra e të tjera.

15% marzhë u vendos për 39 produkte për higjienë, pemë e perime të freskëta, ushqim për fëmijë, detergjente e të tjera.

Për grupin e parë me marzhë 5%, gjithashtu u vendos të kenë çmime maksimale të pandryshueshme, ashtu siç kanë qenë më datë 1 shkurt. Kjo masë vlen nga sot, dhe do të zgjatë deri më 30 prill. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button