Oda e Tregtarëve prezanton platformën e re “ONE STOP DIGITAL
Oda e Tregtarëve prezanton platformën e re “ONE STOP DIGITAL

Gazetar: Avni Tahiri
Platforma e re “ONE STOP DIGITAL”, e promovuar nga Oda e Tregtarëve, synon të mbështesë kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme përmes një qasjeje të centralizuar dhe dixhitale. Sipas Gabriela Kulebanova, Kryetare e Qendrës për Ndërmarrjet e Vogla, Mikro dhe të Mesme pranë Odës së Tregtarëve, kjo platformë do të ofroj një pikë të vetme informacioni dhe komunikimi, duke i mundësuar bizneseve të kenë qasje të lehtë dhe të shpejtë në të gjitha shërbimet e odës përmes një aplikacioni.
“Kjo platformë digjitale e cila do të jetë si mjet apo aplikim në celularët, ka për qellim që në mënyrë të thjeshtë, të lehtë dhe të shpejtë, të vijnë të gjitha informatat deri tek ndërmarrjet e Vogla, Mikro dhe të Mesme, duke detektuar që ajo është një mjet shumë e nevojshme që edhe të kontribuojnë duke vendosur pyetjet e tyre dhe sugjerimet e tyre për të gjithë atë që hasin në punët e tyre”, tha Gabriela Kulebanova – Kryetare e Qendrës për Ndërmarrjet e Vogla, Mikro dhe të Mesme pranë Odës së Tregtarëve.
Platforma është krijuar me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Besojmë se kjo platformë dixhitale do të jetë në shërbim të madh për të gjithë pjesëmarrësit e odës dhe patjetër të them se jo rastësisht përkrahim dixhitalizimin në odën sepse ky është një ndër prioritetet strategjik të bankës sonë sepse besojmë se dixhitalizimi sjell rritje dhe zhvillim të bizneseve në përgjithësi”, nënvizoi Sonja Ingilizova – Nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qëllimi i krijimit të kësaj platforme është vazhdimi i tranzicionit ekonomik të ndërmarrjeve të qëndrueshme të vogla dhe të mesme dhe për të zhvilluar një infrastrukturë të qëndrueshme të shërbimeve për biznes. /Alsat.mk