Oda Ekonomike propozon një sërë masash për zbutjen e krizës energjetike

Oda Ekonomike propozon një sërë masash për zbutjen e krizës energjetike

Gazetar: Adnan Qaili

Oda Ekonomike (OE) doli me nëntë masa, të cilat ua propozoi institucioneve kompetente për energjinë elektrike. Oda kërkon nga shteti të mbështesë ekonominë. Letra e hapur u dërgua në adresë të Ministrisë së Ekonomisë, EMV, MEPSO, Komisionit Rregullator të Energjetikës, e të tjera, masa të dala nga komuniteti i biznesit, siç thonë për një zgjidhje afatgjate të krizës energjetike në vend.

Disa nga propozimet e Odës Ekonomike
“Elektrana e Maqedonisë në të ardhmen t’i japë prioritet blerjes së lirë të energjisë elektrike të prodhuar nga foto-voltaikët dhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike më të shtrenjtë nga termocentralet.
“Ministria Ekonomisë të stimulojë prodhimin e ndërtimit të burimeve të ripërtërishme, të sigurojë shpërndarje dhe ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes, në përputhje me Rregulloren e Energjisë deri në 2030”
Ruajtja e energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme tashmë po shfaqet si nevojë e zgjidhje dhe shteti duhet të mbështesë investitorët dhe objektet industriale për instalimin e sistemeve të baterive.”

Përgjigja e menjëhershme erdhi nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili sot tha se disa nga kërkesat e Odës Ekonomike janë të pranueshme. Blerja e energjisë elektrike nga fotovoltaikët në tregun e lirë në të ardhmen do të jetë e zbatueshme. Bekteshi pohoi se është ekonomikisht e logjikshme në momentet kur prodhimi i energjisë elektrike është më i lirë nga fotovoltaikët se nga termocentralet.

“Janë të logjikshme kërkesat e Odës Ekonomike, shumica prej tyre do të pranohen nga Ministria e Ekonomisë, kurse kërkesat që kanë të bëjnë me kompanitë energjetike në pronësi të shtetit ne do t’i mbështesim dhe këto kërkesa që janë adresuar te KRRE nëse kërkojnë mendim nga ne sepse ata janë organ i pavarur, ne do të përpiqemi t’i mbështesim plotësisht”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Autoritetet thanë se do të vazhdojnë bisedimet me Odën Ekonomike për të harmonizuar kërkesat dhe për t’i vënë në plan operativ brenda kornizave ligjore, por gjithsesi se duhet të bëhen edhe ndryshime të tjera ligjore që kanë të bëjnë me energjetikën. Ajo që duhet me e afërt për qytetarët është tarifa e lirë. Sipas Ligjit të energjetikës, dy herë në vit rishikohet çmimi i energjisë elektrike. Nga rritja e çmimit të saj në bllok tarifa në fund të dhjetorit, tani rishikimi i korrikut do të rikthej TVSH nga 10 që ishte në 18%. Për të zbutur këtë rritje të çmimit të faturave të qytetarëve që do ndjehet për 8% në koston e prodhimi të rrymës dhe koston e transmisionit të rrymës, KRRE ka paralajmëruar kthimin e tarifës së lirë ditore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button