Oferta nga sheikët për Gjimshitin, Atalanta merr vendimin
Klubi i Al Rajan në Doha është gati të paguajë shifra të çmendura për kapitenin e kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti dhe për të dytën verë radhazi ka kërkuar transferimin e tij nga Atalanta.
Klubit bergamask i është propozuar edhe një shifër prej rreth 10-12 milionë eurosh për të lënë të lirë futbollistin i cili hyn në vitin e fundit të kontratës së tij.
Për këdo kjo do të ishte një ofertë e vështirë për t’u refuzuar. Por për Atalantën gjërat ndryshuan shumë në këtë verë me largimin e trajnerit Xhampiero Gasperini dhe afrimin e Ivan Juriç. Ndaj sipas mediave lokale, më saktësisht edicionit të Bergamos të “Corriere Della Sera”, klubi ka vendosur që të refuzojë ofertën nga Katari për lojtarin.
Gjimishtit i kërkohet që të qëndrojë e të vazhdojë të bëjë liderin e mbrojtjes së zikaltërve në një tjetër sezon të rëndësishëm me praninë në Ligën e Kampioneve. Ai vlerësohet si pika e referimit sa i përket prapavijës së Atalantës ndaj klubi ka hequr dorë nga përfitimi që mund të kishte për shitjen e Gjimshitit, edhe pse rrezikon që në vitin tjetër, nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët për rinovimin, ta humbasë me parametër zero.






