OKB: Afganistani mund të shembet pa fonde

E dërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, Deborah Lyons, tha se bllokimi i parave për Afganistanin, për t’i mbajtur ato larg duarve të talibanëve, kërcënon të shembë këtë vend dhe ekonominë e tij. Lyons i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se talibanëve duhet t’u ofrohet një mundësi.

Grupi fundamentalist, që me vite ka luftuar forcat afgane të sigurisë dhe trupat ndërkombëtare, ka formuar Qeverinë e tij në Afganistan, më 7 shtator.

Donatorët e huaj kanë siguruar më shumë se 75 për qind të buxhetit të Afganistanit, por ato pagesa janë ndalur kur talibanët kanë marrë kontrollin.

“Ekonomia duhet të lejohet të marrë frymë edhe për disa muaj të tjerë, duke u dhënë talibanëve një shans për të demonstruar fleksibilitet dhe vullnet të mirëfilltë për t’i bërë gjërat ndryshe këtë herë”, tha Lyons.

Talibanët kanë sunduar Afganistanin edhe në periudhën 1996-2001, me një interpretim të ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit.

Shumë nga vendet kryesore të botës presin të shohin nëse talibanët do të jenë më të moderuar kësaj here, ashtu siç kanë premtuar.

Fuqitë perëndimore thonë se janë të gatshme të dërgojnë ndihma humanitare në Afganistan, porse angazhimi më i gjerë ekonomik do të varet nga veprimet e talibanëve./REL

LEXO EDHE:

Back to top button