OKB bën thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve në Mianmar

Organi kryesor për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara kërkoi nga ushtria e Mianmarit që ta rikthej pushtetin te qeveria civile dhe ta lirojë Aung San suu Kyinë, duke thënë se “bota po vëzhgon” teksa në këtë shtet po vazhdojnë protestat kundër grushtit të shtetit.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet që të lirohen të gjithë ata që janë arrestuar “në mënyrë arbitrare” dhe të “rivendoset qeveria e zgjedhur”.

Përveç lideres Suu Kyi edhe presidenti Win Myint dhe mbi 350 persona të tjerë janë arrestuar në Mianmar –që njihet ndryshe edhe si Birmani – që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, përfshirë aktivistë, gazetarë, studentë dhe murgj, tha Nada al-Nashif nga OKB-ja.

Marrja e pushtetit nga ushtria “përbën një kthim prapa për vendin, pas një dekade të tranzicionit demokratik”, tha al-Nashif.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome ndaj protestuesve në Mianmar. Më 9 shkurt, në një protestë në Naypyidaw u plagosën rëndë dy persona, përfshirë një grua që u qëllua në kokë.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së u mblodh pas një kërkese të Britanisë dhe Bashkimit Evropian.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të lartë të ushtrisë së Mianmarit.

Megjithatë, rezoluta e këtij trupi të OKB-së nuk ka fuqi që të vendosë sanksione, por vetëm ka për qëllim që të vë në pah abuzimet me të drejtat e njeriut dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Puçi ushtarak, i udhëhequr nga gjenerali Min Aung Hlaing hoqi nga pushteti laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, Suu Kyi dhe parandaloi që ligjvënësit e zgjedhur së fundmi, të mbanin seancën e parë parlamentare.

Ushtria tha se puçi u organizua sepse qeveria e Suu Kyisë dështoi që të hetojë pretendimet për mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Komisioni Zgjedhor i Mianmarit ka thënë se nuk ka pasur dëshmi për të mbështetur këto pretendime të ushtrisë.

LEXO EDHE:

Back to top button