OKB i kërkon Rusisë të tërhiqet nga Krimea
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi sot një rezolutë që i bën thirrje Rusisë t’i japë fund okupimit në Krime dhe të tërhiqet nga Ukraina.
“Ajo i bën thirrje Federatës Ruse, si Fuqia okupuese, që menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të tërheqë forcat e saj ushtarake nga Krimea dhe t’i japë fund okupimit të përkohshëm të territorit të Ukrainës pa vonesë”, thuhet në kumtesën e OKB-së mbi rezolutën jo-detyruese.
Përfaqësuesi i Ukrainës i cili prezantoi tekstin përkatës tha se duke pushtuar Krimenë, Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar dhe po kërcënon “paqen dhe sigurinë përtej rajonit të Detit të Zi”.
Në ndërkohë, pala ruse e quajti tekstin “të politizuar” dhe shtoi se populli i Krimesë ka vendosur për të ardhmen e tij përmes një referendumi, transmeton Anadolu.
Rusia dhe Ukraina kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.
Turqia, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e kanë cilësuar aneksimin si të paligjshëm.
Ukraina gjithashtu e ka fajësuar Rusinë për dhunën separatiste në Ukrainën lindore.