OKB paralajmëron Mianmarin kundër përgjigjes së ashpër ndaj protestuesve

E dërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara, Christine Schraner Burgener, ka paralajmëruar ushtrinë e Mianmarit (Burmas), për “pasoja të rënda”, nëse do të ketë përgjigjje të ashpër ndaj protestuesve që po kundërshtojnë puçin në këtë shtet të Azisë Juglindore.

Schraner Burgener ka folur përmes telefonit me zëvëndës-shefin e ushtrisë dhe ka “përsëritur të drejtën për organizim të tubimeve paqësore dhe se protestuesit nuk duhet të jenë subjekte të masave ndëshkimore”, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq në Kombet e Bashkuara.

E dërguara e OKB-së është cituar t’i ketë thënë ushtrisë së Mianmarit se “bota është duke shikuar me kujdes dhe se çdo formë e përgjigjjes së ashpër mund të përballet me pasoja të rënda”.

Protestuesit kanë vazhduar të protestojnë për të dënuar marrjen e pushtetit më 1 shkurt, të udhëhequr nga Aung San Suu Kyi dhe të tjerët.

Suu Kyi dhe presidenti Win Myint pritet marrin pjesë në një seancë gjyqësore këtë javë, ka deklaruar avokati Khin Maung Zaw, i cili ka thënë se nuk ka qenë në gjendje të kontaktojë me asnjërin klient.

Protestat e 15 shkurtit kanë qenë më të vogla sesa protestat e mëparshme, mirëpo kanë qenë të shpërndara.

Ushtria ka rritur secilën herë përpjekjet për të shuar protestat, meqë konsideron se janë duke dëmtuar stabilitetin e shtetit dhe kanë lënë njerëzit në frikë.

Gjeneralët kanë marrë vendim për ndalje të internetit për disa orë, duke nisur nga 15 shkurti, dhe kanë rritur prezencën ushtarake.

Përveç protestave, një lëvizje e mosbindjes civile ka rezultuar me greva, të cilat janë duke dëmtuar shumë funksione të qeverisë.

Ushtria ka marrë pushtetin pas supozimeve për mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, të cilat i ka fituar binshëm partia e Suu Kyisë.

Puçi ka zemëruar disa shtete perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë sanksionuar disa liderë ushtarakë për shkak të ndodhive të fundit.

LEXO EDHE:

Back to top button