OKB: Thatësia i kushton botës mbi 300 miliardë dollarë çdo vit
OKB: Thatësia i kushton botës mbi 300 miliardë dollarë çdo vit

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se thatësia i kushton botës më shumë se 300 miliardë dollarë çdo vit.
Këto gjetje janë përfshirë në raportin e ri të OKB-së, teksa po zhvillohen bisedime për shkretëtirëzimin në Arabinë Saudite.
E nxitur nga “shkatërrimi që i bën njeriu ambientit” thatësia pritet të ndikojë në jetët e 75 për qind të popullsisë së botës deri më 2050, sipas raportit.
Sipas gjetjeve, kriza aktualisht po i kushton botës 307 miliardë dollarë në vit. OKB-ja ka bërë thirrje për investim në “zgjidhje me bazë në natyrë”, sikurse “ripyllëzimi, menaxhimi i kullotave, si dhe restaurimi i pellgjeve ujëmbledhëse”. Duke marrë parasysh nivelet e larta të thatësisë në Ekuador, Brazil, Namibi dhe Malaui, si dhe në vendet në kufi me Mesdheun, viti 2024 pritet të regjistrojë rekord si viti më i nxehtë prej kur kanë nisur të bëhen matje.