Olivia Munn rrëfen për ndjenjën e pasigurisë pas operacioneve

Olivia Munn rrëfen për ndjenjën e pasigurisë pas operacioneve

Aktorja amerikane Olivia Munn, e njohur për rolin e saj në serialin e ri të Apple TV+, “Your Friends and Neighbours”, ka treguar se ka ndier pasiguri gjatë xhirimeve të skenave intime, për shkak të plagëve të mbetura nga trajtimi i kancerit të gjirit.

44-vjeçarja u diagnostikua me kancer të dyfishtë të gjirit në muajin prill të vitit 2023 dhe iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë, më pas heqjes së nyjave limfatike si dhe një ooforektomie dhe histerektomie, duke lënë plagë të dukshme në trupin e saj.

“Isha nervoze sepse kam plagë. Kam plagë nga mastektomia e dyfishtë. Kam plagë nga diseksioni i nyjave limfatike. Kam plagë nga ooforektomia dhe histerektomia. Pra, nuk është vetëm një vend i vogël, por janë shumë”, ka thënë Munn në një intervistë për Extra.

Megjithëse këto plagë nuk shfaqen në ekran, aktorja ka pranuar se u ndie e pasigurt gjatë përgatitjeve për xhirime. Ajo ka biseduar hapur me skenaristin dhe producentin Jonathan Tropper, me partnerin në skenë Jon Hamm dhe koordinatoren e skenave intime të serialit, duke gjetur mbështetje dhe mirëkuptim.

Olivia ka theksuar se është krenare për trupin e saj që i ka mbijetuar kësaj sfide të madhe shëndetësore dhe vlerësoi mënyrën se si stafi i serialit tregoi ndieshmëri dhe kujdes ndaj saj.

“Jam shumë krenare për trupin tim që më nxori përpara gjithë kësaj. Jonathan Tropper dhe Jon janë njerëz të mrekullueshëm. Kishte shumë empati dhe dhembshuri. Më bënë të ndihesha e mbrojtur dhe e përkujdesur”, ka thënë ylli.

Skenat mes saj dhe Jon Hamm janë thelbësore për dinamikën e serialit dhe Munn ka shpjeguar se deshi t’i realizonte sa më natyrshëm.

“Dinamika mes karakterit tim dhe atij të Jon-it është shumë seksuale. Kjo është ajo që i lidh ata. Është baza e marrëdhënies. Prandaj ishte shumë e rëndësishme që ta shfaqnim këtë, dhe unë doja që gjithçka të ishte realiste dhe e besueshme, pa u fshehur pas diçkaje”, ka thënë tutje aktorja.

Ani se plagët e saj nuk duken në serial, ajo zgjodhi t’i shfaqë në fushatën e fundit për brendin e veshjeve të brendshme, “SKIMS”, si një mënyrë për të frymëzuar dhe ndihmuar të tjerët që përballen me sfida të ngjashme.

“Nuk ndiej më pasiguri për plagët e mia. Por e gjitha kjo nisi nga një moment i vetëm, një vendim i vetëm, dhe më pas reagimi që mora nga njerëzit. Po shërohem, po mësoj dhe po e pranoj veten çdo ditë”, ka thënë ndër të tjera Munn.

LEXO EDHE:

Back to top button