Onishçenko ende ka shtetësi maqedonase, Kovaçevski: MPB-ja duhet të përfundojë hetimet

Onishçenko ende ka shtetësi maqedonase, Kovaçevski: MPB-ja duhet të përfundojë hetimet

Gazetar: Lluka Andreev

Vijon procedura për heqjen e shtetësisë të biznesmenit pro-rus, Onishçenko, pasi në një seancë të mbyllur të qeverisë javën e kaluar u njoftua se ai ka paraqitur dokumente false. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot nuk u përgjigj nëse dikush do të mbajë përgjegjësi për rastin, përveç personave tashmë të suspenduar nga ASK. Ai përsëriti se nuk guxon të nxirren informatat nga seanca me dyer të mbyllura, ku është referuar personi i parë i ASK-së, Viktor Dimovski.

Kovaçevski i bëri thirrje MPB-së që sa më parë të hetojë se si raporti i Dimovskit është transmetuar nga Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së.

“Dëshiroj edhe një herë, siç bëra pardje, t’i bëj thirrje MPB-së, që të përfundojë sa më parë hetimet se si ndodhi që u transmetua direkt seanca me dyer të mbyllura e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Shërbimeve të Sigurisë, që ata pastaj të mund të vazhdojnë dhe ta përfundojnë punën e tyre në Parlament”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër

“Departamenti për krimin kompjuterik dhe forenzikën digjitale në MPB, po merr masa për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga MPB-ja.

Më herët, kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se raportimi i Dimovskit për rastin e biznesmenit Onishçenko, i cili është në listën e zezë amerikane, do të vazhdojë para deputetëve, pasi MPB-ja të përcaktojë se si është transmetuar seanca në YouTube. Ndërkohë, nuk ka asnjë përgjigje se cili ishte dokumenti fals me të cilin Onishçenko aplikoi për shtetësi dhe mori katër opinione pozitive. Nga ajo që dihet, është se në ASK është anashkaluar kërkimi i mendimit nga partnerët e NATO-s. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button