Onkologjia/ 4 të arrestuar e 3 në kërkim

Onkologjia/ 4 të arrestuar e 3 në kërkim

Gazetar: Adnan Qaili

Në mëngjesin e së martës nuk kishte vetëm uniforma të doktorëve në Klinikën e Onkologjisë. Dy policë dhe dy hetues ishin prezent me urdhër të prokurorisë për arrestimin e disa të dyshuarve lidhur me skandalin për terapitë e shtrenjta kundër kancerit, shkruan Alsat.

Policia me pranga në duar nga aty nxori ish-drejtorin Nino Vasev dhe dy të tjerë, kurse sekretarja që akoma ishte në këtë funksion sot nuk ishte paraqitur në punë dhe nuk kishte qasje në celular. Nga Prokuroria thonë se bastisjet janë kryer në tri lokacione dhe të shoqëruar në stacionet policore janë katër persona. Aksioni akoma vazhdon!

“Policia dhe prokuroria kësaj here hynë në dyert e Klinikës së Onkologjisë, po për të marr dokumente, por për të arrestuar persona të dyshuar për vepra të rënda penale. Sipas informacioneve të para tre janë arrestuar përfshirë ish-drejtorin medicinal Niko Vasev, përgjegjësin teknik të sanitarisë dhe një motër medicinale, kurse në rrethanat shtëpiake është arrestuar edhe ish-drejtori organizativ Nehat Nuhiu. Sipas organeve të hetuesisë në kërkim janë edhe tre persona për veprën e njëjtë”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatësit të procedurës paraprake për t’ju shqiptuar masat përkatëse, kurse ndaj të arrestuarve po bëhet kërkim me urdhër qendror brenda gjithë territorit të shtetit.

Akoma nuk dihet se për çfarë vepra të rënda penale ngarkohen të dyshuarit. Drejtorët aktual të Klinikës së Onkologjisë thonë se bashkëpunuan me autoritetet dhe pjesa tjetër u mbetet organeve të drejtësisë.

“Gjithçka që ka të bëj me hetimin dhe ndodhitë e mëngjesit, informacione duhet ti merrni nga organet e hetuesisë”, tha Violeta Klisarova, Drejtoresh medicinale në Klinikën e Onkologjisë.

“Sot nuk kanë diskutuar me mua, vetëm erdhën me urdhër se cilët duhet të arrestohen. Nga këtu janë marrë tre persona. Ish-drejtori dhe dy të punësuar. Sekretarja nuk është paraqitur sot në punë, mund ta kenë marrë nga diku tjetër ose jo por celularin e ka të fikur. U mor një person medicinal dhe një i punësuar”, u shpreh Halid Matoshi, Drejtor organizativ në Klinikën e Onkologjisë.

Pacientët tregojnë se u bënë dëshmitarë të arrestimit të stafit mjekësor, derisa erdhën të mjekohen.

“Diku rreth orës 8,10 ishte ora kur pash policë në uniforma nuk pas sa veta morën por pash policët!”, tha një pacient.

“Unë për herë të tretë jam në hemoterapi, turp për ata! Me këtë sjellje të politikanëve tanë si të parëve dhe të fundit, i humbëm doktorët”, u shpreh një pacient tjetër.

“Pashë vetëm Nino Vasev si e kanë arrestuar, tjetër nuk pashë sepse kishte shumë turmë pacientësh brenda. Ai ishte me duar të lidhura të mbuluara me mantelin e bardhë. Nuk pashë shumë se kaluan shpejtë, por jemi shqetësuar se nuk prisnim të ndodh diçka e tillë, përmes laboratorisë e shoqëruan jashtë”, theksoi një paciente.

Procedura hetimore u hap në shtator të vitit 2023 nga Prokuroria Publike, lidhur me dyshimet se në Klinikën e Onkologjisë janë manipuluar pacientët me kancer dhe janë shitur terapitë e shtrenjta.

Deri më sot hetimi ka qenë në fazë të mbledhjes së dëshmive dhe organi akuzës konstaton se ka bazë për të çuar më tej këtë lëndë. Dyshimet janë që në 10 vitet e fundit, pacientët me sigurim shëndetësor nuk kanë marrë ekzaminimet e duhura mjekësore dhe terapitë e destinuara për ta janë shitur privat në përfitime personale të të dyshuarve, ku përllogaritjet janë miliona euro në dëm të Fondit Shëndetësor.

Tv Alsat ka raportuar i pari lidhur me këtë skandal që nga muaji tetor i vitit 2022, kur edhe u shkarkua nga pozita drejtori Nino Vasev dhe Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësore dhe Enti i Revizionit bëri inspektim. Atëherë kur u ngre alarmi mediatik, policia dhe prokuroria ishte në gjumë dhe u zgjua tek pas 2 vitesh./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button