“Onkologjia”, Mexhiti: Nuk bëjmë kompromis kundër hetimit
“Onkologjia”, Mexhiti: Nuk bëjmë kompromis kundër hetimit

Gazetar: Adrian Kerimi
Derisa hetimi mbi skandalin në Klinikën e Onkologjisë vazhdon të mbetet në fazën para hetimore, autoritet nuk ndalojnë me garancitë se nuk do të shpëtohet, mbrohet apo kursehet askush. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti gjatë takimit me gazetarët tha se është i vetëdijshëm se shëndetësia nuk është një kristal, por që ka mjek të ndershëm dhe nuk duhet futur të gjithë në një thes. Mexhiti i bëri thirrje qytetarëve dhe pacientëve të bashkëpunojnë me organet hetuese.
“Nëse duhet do të ndryshohet i gjithë mentaliteti dhe kultura shëndetësore. Të fillojmë nga vetja si profesionistë, si ministri, si media dhe si qytetarë. Të fillojmë të mendojmë pozitivisht dhe me optimizëm. Ajo që unë garantoj si ministër mbi bazën e kompetencave të mia, pa kompromis, nuk do ta mbrojmë dhe kursejmë askënd. Ajo që do të dëshmohet, do të sanksionohet deri në pikën e fundit”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Nuk ka informacion nëse në kuadër të hetimit është përfshirë edhe elementi i kurimit të pacientëve me statusin shtetas të huaj. Për këtë Mexhiti thotë se duhet të pritet epilogu i hetimit.
“Nuk kam informacion për indikacionet se në onkologji janë kuruar edhe pacientë të huaj, përkatësisht shtetas të huaj. Edhe po të kam informacione të tilla, nuk mund t’i ndaj sepse procedura në Prokurorinë Publike akoma është na fazën para hetimore”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Kanë kaluar mbi dy javë që kur policia dhe prokuroria kryen bastisje në Klinikën e Onkologjisë mbi dyshimet për mos dhënien e trajtimit të paraparë me protokoll, shit-blerjen e ilaçeve dhe përzgjedhjen e pacientëve në baza familjare dhe miqësore. Grupi hetimor ka sekuestruar mjete që mund të jenë prova të veprës penale, ndërsa çdo ditë vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve dhe marrja në pyetje e të dyshuarve. /Alsat.mk