Opozita kërkon hetim nga Antikorrupsioni për tenderin në vlerë të rreth 4 milionë eurove për uniformat e MPB-së
Opozita kërkon hetim nga Antikorrupsioni për tenderin në vlerë të rreth 4 milionë eurove për uniformat e MPB-së

Opozita kërkon që tenderi për prokurimin e uniformave të Ministrisë së Brendshme në vlerë rreth katër milionë euro t’i nënshtrohet një hetimi nga Antikorrupsioni, shkruan Alsat.
Sipas LSDM-së, kompania që fitoi tenderin nuk ka përvojë dhe është formuar vetëm 20 ditë para se të shpallej procedura e tenderit. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, edhe një herë mohon fajin dhe u bën thirrje autoriteteve hetuese të përfundojnë punën e tyre.
“Kompani pa kapacitet, kompani pa përvojë, dje pamë se është kompani pa seli. A është kompani fantazmë? Si është e mundur që një kompani si kjo të fitojë tender për pajisje të specializuara për policinë? Ky, të nderuar, është skandal i madh që lidhet me Pançe Toshkovskin, që kërkon reagim të menjëhershëm institucional”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
“Të gjitha dokumentet që lidhen me procedurën e tenderit në fjalë janë të disponueshme publikisht. Edhe një herë, i bëj thirrje prokurorisë publike dhe të gjitha institucioneve që kanë kompetencë në këtë fushë që të vijnë në Ministrinë e Brendshme, në departamentin që zbaton këto prokurime publike, për të parë të gjitha dokumentet që lidhen me prokurimin publik. Ministria e Brendshme është transparente dhe do të jetë transparente në tërësinë e saj”, u shpreh Pançe Toshkovski- MPB./ Alsat.mk