Opozita kritikon zënkat e brendshme të pushtetit

Opozita kritikon zënkat e brendshme të pushtetit

Gazetare: Fatlume Dervishi

LSDM-ja kërkon nga partnerët e koalicionit qeveritar të pushojë me debatin për zënkat brenda tyre dhe të punojnë për realizimin e premtimeve, shkruan Alsat.

Ky qëndrim vjen një ditë pas përplasjes së parë publike mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN për ligjin për Branitellat.

“Snopçe, Mickoski, bashkë me Taravarin duhet të ulen dhe të punojnë diçka për qytetarët, jo të debatojnë. Qeveria funksionon vetëm kur duhen të merren vesh se si ta partizojnë shtetin dhe të ndajnë privilegjet. Për gjithçka tjetër është jofunksionale. Në vend që të qeverisin në interes të qytetarëve ata e bllokojnë përparimin, i shtynë reformat dhe krijojnë atmosferë paqartësie dhe ndasie”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Deputeti Halil Snopçe kishte deklaruar se VLEN nuk ka më vend në qeveri nëse miratohet ligji për branitellat dhe shfuqizohet ligji për gjuhët. Mickoski i dëshiroi fat. Kreu i ASH-së Arben Taravari, nga qëndrimi në SHBA, deklaroi se raportet mes partnerëve të koalicionit janë korrekte, por se mund të ketë pasur keqkuptime brenda strukturave të tyre.

“Raportet mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së mund të them se janë mjaft korrekte, në nivel të krerëve të partive. Normalisht ne kemi struktura partiake. Ndoshta ka pasur diku edhe ndonjë keqkuptim të vogël, që nuk mund ta them të njëjtën edhe për ZNAM dhe VLEN… Ne përpiqemi të jemi sa më të harmonizuar këto 100 ditë, megjithatë diku ka pasur keqkuptime, diku ka pasur dalje që s’kanë qenë të koordinuara siç duhet, prandaj duhet kohë të sinkronizohemi tërësisht dhe këtë ta vërejnë edhe qytetarët” , u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Edhe VMRO-DPMNE-ja këmbëngul se koalicioni qeveritar është stabil.

“Që koalicioni qeveritar është stabil tregon edhe fakti që në Kuvend kemi pothuajse shumicë prej 2/3. Qeveria është fokusuar në projekte dhe masa që nënkuptojnë jetë më të mirë për qytetarët. Raportet janë në drejtim të një dialogu stabil politik për zhvillim dhe transformim ekonomik”, theksoi Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Raporti mes partnerëve të koalicionit është vendosur disa herë në qendër të vëmendjes, kryesisht për shkak të qëndrimeve për çështje me prapavijë etnike./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button