Opozita shqiptare akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski, në seancën në pyetjet e deputetëve
Gazetare; Fatlume Dervishi
Opozita shqiptare akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski, në seancën në pyetjet e deputetëve, për nxitjen e përçarjes ndëretnike, me vendime të njëpasnjëshme të institucioneve shtetërore. Si shembull, deputeti Skender Rexhepi mori përfaqësimin e shqiptarëve dhe përdorimin e gjuhës.
“Kjo qeveri si çdo qeveri në të kaluarën, përveç asaj 2016-2024, të gjitha qeveritë e tjera, edhe LSDM edhe VMRO e kanë ushqyer elektoratin e tyre me pemën e quajtur përçarje ndëretnike dhe shkelje të drejtave të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Përse e kanë bërë këtë? Për shkak se elektoratit i ka interesuar më shumë fitorja e qeverisë ndaj të drejtave të shqiptarëve sesa gjendja e rëndë ekonomike apo varfëria e tyre. Gjithë qytetarët duhet ta dinë se në Kuvend dy gjuhë janë komfor Kushtetutës gjuhë zyrtare, gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe. Prandaj kryeministër unë ju lus, të bëheni ju shkaktar, të bëhemi ne shkaktar, ta presim pemën që na shkakton përçarje”, deklaroi Skender Rexhepi, Fronti Evropi.
Kryeministri tha se ligji për përfaqësimin e drejtë në prill do të sillet në Kuvend dhe kërkoi nga opozita shqiptare që ta mbështesin. Mickoski shtoi se nuk ka asgjë kundër gjuhës shqipe dhe asnjë gjuhe tjetër por zyrtare në të gjithë territorin tha se është fillimisht gjuha maqedonase.
“Mua nuk më pengon, nuk e di përse keni nevojë të bërtisni. Përkundrazi. Lirisht përdoreni gjuhën shqipe. Madje edhe përpiqem ta mësoj dhe shpresoj që për ndonjë vit edhe unë do ta mësoj dhe kur të flisni në shqip kështu me zë dhe kur të mendoni se dikush frikësohet, do të mund ta kuptoj sepse mendoj se përkthimi nuk përputhet me atë që thoni, aq sa kam unë njohuri. Dhe nuk turpërohem, sa më shumë gjuhë njoh, aq më i pasur jam. Por nëse e lexojmë Kushtetutën, gjuha zyrtare në gjithë territorin është gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Rexhepi tha se edhe ministrat manipulojnë dhe nxisin etnikisht. /Alsat.mk.








