Opozita shqiptare akuzon LSDM-në dhe VMRO-në se përmes partisë E Majta po tentojnë të bllokojnë Ligjin e Shtetësisë

Opozita shqiptare akuzon partitë e bllokut politik maqedonas se po shfrytëzojnë partinë E Majta për të bllokuar propozim-Ligjin për shtetësi. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa konsiderojnë se situata e krijuar në Kuvend duhet analizuar dhe ndërtuar qëndrim i ri për veprimet e mëtejshme në Kuvend.
Subjektet e mëdha politike duke mos dashur ta marrin mbi vete përgjegjësinë e bllokimit të ligjit, ata përdorin metoda që përmes një subjekti të vogël i cili me metoda fashizoide mundohet ta bllokon një ligj i cili kryekëput është në shërbim të qytetarëve. Do të konsultohemi si grup parlamentar dhe përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që bllokojnë por edhe e shkaktarit të bllokadës. Ata duhet ta thonë të vërtetën, çfarë u pengon nga ky propozim-ligj”.
Kryeministri Zoran Zaev garanton se do të gjenden mënyra për ta miratuar ligjin. Sipas tij, E Majta po bën garë me VMRO-DPMNE-në se kush do të bllokojë më shumë. Ai th se rezultati i këtyre veprimeve do të faturohet në zgjedhjet lokale.
Me të vërtetë nuk e kuptoj logjikën e partisë “E Majta” e cila po tregon se është e djathtë dhe ka humbur konceptin. Nëse vazhdojnë të shtyhen me VMRO-DPMNE-në se cila më shumë bllokon ligje në Kuvend, rezultatin e kësaj qasje do ta marrin në zgjedhjet lokale. Ligji për shtetësi sillet për të gjithë qytetarët dhe nevoja e tij është mese e dukshme. I plotëson të gjitha standardet dhe gjetëm zgjidhjen e duhur. Tani të bllokohet? Nuk e shoh asnjë arsye”.
E Majta motivin e bllokadës e gjenë në përmbajtjen e tekstit të ligjit. Sipas tyre, propozimi nuk ka logjikë juridike dhe se miratimi i tij dëmton lidhjen shtet-qytetar.
Ky ligj nuk ka lidhje me popullatën rezidente në shtet. Nuk mundet që ASH-AAA dalin dhe flasin për njerëz që 30 vite nuk kanë lidhje me shtetin dhe duan leje qëndrimin ta shkurtojnë në 4 vite. Duan ta largojnë betimin dhe lojalitetin ndaj shtetit si pjesë e ligjit. A edhe kjo bën problem për ta?”.
Propozim-Ligji për shtetësi ka ngelur në fazën e shqyrtimit të amendamenteve. Procedura është bllokuar nga partitë opozitare maqedonase të cilat përmes fjalimeve procedurale maratonike po zvarrisin procedurën. Për plotësimin e tekstit të ligjit janë propozuar 10 amendamente. Opozita shqiptare nuk mohon mundësinë që në rast të mos miratimit të ligjit, ti kthehet bllokadës së Kuvendit përmes mijëra amendamenteve.
Adrian Kerimi